Kongresi Popullor Kombëtar i Kinës ka nisur punimet në Pekin, duke nisur kështu fazën përfundimtare të ndryshimit të lidershipit të vendit, që ndodh një herë në 10 vjet.
Kryeministri në largim, Wen Jiabao, ka nisur të bëjë raportin e punës së tij, raport që thekson arritjet në të kaluarën dhe planet për vitet e ardhshme.
Kongresi, i cili ka rolin e parlamentit të Kinës, pritet të kompletojë transferimin e Xi Jinping në rolin e presidentit, të cilin do ta marrë nga Hu Jintao.
Ngjarja do të ndiqet me kureshtje, për të parë se kush do të marrë postet e tjera kryesore në qeveri.
Rreth 3 mijë delegatë janë pjesëmarrës në Kongres, i cili përfshin edhe anëtarë të ushtrisë, murgj, përfaqësues të pakicave etnike dhe liderë të botës së biznesit. Pjesa më e madhe e këtyre janë anëtarë të Partisë Komuniste të Kinës.
Në vend të rolit të debatit politik, delegatët kanë për detyrë të ratifikojnë vendimet tashmë të marra nga zyrtarë të partisë, të marra me dyer të mbyllura, duke e kthyer kështu Kongresin në një parlament “vulë gome”.
Ata pritet të aprovojnë planet e ristrukturimit të disa departamenteve të qeverisë, ashtu si dhe të amendojnë disa politika ushtarake afatgjata, monopolet virtuale të disa ndërmarrjeve shtetërore dhe disa të tjera mbi liritë individuale.
Programi zyrtar nuk është bërë ende publik, por nga fundi i shfaqjes 2-javore, pritet që Xi Jinping të bëhet zyrtarisht presidenti i ri i vendit.
Nëntorin e kaluar, ai u emërua kryetar i Partisë Komuniste, partia më e madhe politike në botë, duke e bërë hapin e fundit drejt zgjedhjes si president diçka të paevitueshme.
Që prej emërimit të tij, Xi Jinping nderuar masivisht në mediat kineze si dikush nga populli, i cili përpiqet t’i shmanget zbukurimeve të zakonshme të postit të tij, ashtu sikurse dhe si një nacionalist i flaktë.
Ai është cituar të ketë folur me vendosmëri për nevojën e eliminimit të korrupsionit në të gjitha nivelet, duke paralajmëruar trazira civile nëse privilegjet e partisë nuk do të trajtohen.
Për t’u promovuar është zgjedhur edhe Li Keqiang, që pritet të marrë rolin e kryeministrit nga i larguar Wen Jiabao, posti më i rëndësishëm ekonomik. Ai do të japë një konferencë për shtyp në fund të mbledhjes, teksa do të ngarkohet edhe me detyrën e formimit të qeverisë së re të vendit.
Liderët e rinj të Kinës pritet të trashëgojnë një publik shumë herë më të zhurmshëm se sa paraardhësit e tyre, teksa mediat sociale pritet t’i detyrojnë të adresojnë disa nga shqetësimet e popullit, më shumë nga sa janë përpjekur në të kaluarën.
Top Channel