Shqiptarët e Luginës së Preshevës, gati në fund të bisedimeve Kosovë-Serbi, kanë frikë se çështja e tyre do të harrohet.
Ndërkohë që Serbia kërkon rol ekzekutiv të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, të propozuar në dialog, shqiptarët thonë se Kosova nuk diskuton asgjë me ta.
Ndaj reagimeve të qeverisë së Kosovës se Lugina mbetet jashtë për shkak se nuk ka nisma nga liderët në jug të Serbisë, ka reaguar ashpër kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa.
“Kjo është e tëra një lojë, një farsë politike e kryeministrit të Kosovës dhe zëvendësit të tij, që bëjnë sikur nuk e dinë se cilat janë dëshirat dhe kërkesat e shqiptarëve në Preshevë. Ata i dinë kërkesat e tyre për t’i futur në bisedime, ose për t’u ofruar një asociacion komunash shqiptare. Nuk ka një platformë politike për këtë, orientimi politik i Preshevës është bashkangjitja me Republikën e Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Pavarësisht kërkesave për bashkim me Kosovën, Riza Halimi, deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë, thotë se ajo që u ofrohet serbëve në Kosovë është larg kushteve të shqiptarëve në Serbi.
“Duhet të ndalojmë një proçes të pavolitshëm për Luginën, ku ka prirje për zbatimin e standarteve të dyfishta ndaj shqiptarëve. Shqiptarët janë nën nivelin e të drejtave të tyre, krahasuar me të drejtat në komunat me shumicë serbe në Kosovë”, ka deklaruar Halimi.
Nga ana tjetër, qeveria e Beogradit ka nisur një dialog me shqiptarët javën e kaluar, duke ofruar zgjidhje në bazë të ligjeve të Serbisë, por që ende nuk zgjon shpresa të sigurta për shqiptarët.
Top Channel