Braçe: PS të luftojë korrupsionin

22/02/2013 00:00

Deputeti Socialist Erjon Braçe i bëri thirrje publike partisë së tij të
përfshijë në programin e vet luftën kundër korrupsionit, duke shtuar se i
ka bërë këto propozime edhe në vitin 2010, por nuk ka marrë përgjigje.

Braçe, i cili ka ngritur gjatë kohëve të fundit disa fushata denoncimi të korrupsionit të qeverisë, e hodhi thirrjen e tij në Facebook mëngjesin e sotëm, ndërsa Partia Socialiste po prezanton programin e vet të ri.

“Pajtim kombëtar me korrupsionin si në 97-ën,nuk duhet të ndodhë më!”, tha Braçe, i cili shtoi se thirrjen e tij po e hedh në Facebook pasi nuk i është krijuar mundësia për të debatuar gjatë prezantimit të programit për qeverisjen. Braçe kritikoi programin aktual të socialistëve për korrupsionin dhe tha se mendon se është i pamjaftueshëm në kushtet kur korrupsioni është kthyer në një mënyrë jetese dhe se po shpërbën shtetin.

“Po propozoj për të pestën herë disa angazhime parimore kundër korrupsionit. Për herë të parë i kam propozuar në vitin 2010 në Asamblenë e PS. I kam përsëritur edhe në tre mbledhje të tjera, dy asamble dhe një kongres. Nuk kam marrë përgjigje për to!”, tha Braçe.

“Nuk do të ketë kurrë një Shqipëri të drejtë nëse nuk do të ketë ndëshkim ndaj korrupsionit,” shtoi ai. “Nuk do të ketë kurrë një parlament të popullit nëse çdokush që hyn në të nuk zhvishet nga interesat pasurore dhe të justifikojë çdo qindrarkë të vënë deri në atë moment,” shtoi deputeti socialist, i cili ribpulikoi edhe një fjalim të tij të mbajtur në Asamble në qershor 2010.

Top Channel