Jo vetëm Shkodra, edhe demokratët e qarkut të Beratit nisen drejt protestës së thirrur sot nga PD në kryeqytet

31/10/2026 11:56

Demokratët e qarkut të Beratit janë nisur sot drejt protestës në Tiranë, në mbështetje të protestës studentore.

Si në çdo protestë tjetër, edhe sot, nga dega e Partisë Demokratike Berat është nisur një grup i madh protestuesish drejt Tiranës, ndërkohë që edhe nga degët e PD-së në Kuçovë, Dimal, Skrapar e Poliçan ka pasur nisje të shumta. Rreth 60 automjete janë nisur vetëm nga rrethi i Beratit, ndërkohë që në rang qarku janë nisur mbi 125 automjete me demokratë, që do t’i bashkohen protestës.

Demokratët e qarkut të Beratit janë nisur drejt Tiranës me mjete të vogla private, në orare të ndryshme që prej mëngjesit të sotëm, madje disa prej tyre janë nisur që mbrëmjen e djeshme. Kjo formë organizimi është përdorur për të shmangur pengesat në rrugë nga forcat e policisë.

Kryetari i PD-së Berat, Kasion Hasimetaj, pasi u bën apel gjithë shqiptarëve t’i bashkohen protestës, thekson se demokratët beratas janë nisur drejt Tiranës si “çetat partizane” dikur, pasi gjatë gjithë rrugës ka kontrolle të shumta policie.

Deputeti i PD-së së qarkut Berat, Zija Ismaili, ka pretenduar se anëtarët e Partisë Demokratike Berat kanë qenë të vëzhguar nga patronazhistët e PS-së në çdo nisje drejt protestave, por sipas tij kjo nuk i ka ndaluar asnjëherë të bëhen edhe më shumë, “për ta rrëzuar këtë qeveri të korruptuar”.

 

Top Channel