“HEC-i, afatet u shkelën me 19 muaj”

21/02/2013 19:55

Një ditë pas publikimit të raportit të “Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore” mbi ecurinë e ngadaltë të punimeve për ndërtimin e Hidrocentralit të Kalivaçit, shefi i sektorit të monitorimit të HEC-eve pranë këtij institucioni thotë se një tjetër grup ekspertësh ka kryer një tjetër monitorim në datën 18 shkurt 2013, pra tre ditë më parë.

Nga kontrolli i ushtruar nga ekspertët e “Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore” rezulton se punimet e kompanisë koncensionare “Bechetti Energy Group” vazhdojnë të jenë minimale, madje janë në të njëjtën fazë të një viti më parë.

”Në këtë HEC vazhdojnë punimet minimale, me një ritëm të ulët. Mund të themi se këto punime janë praktikisht të njëjtat si një vit më parë. Aktualisht, po punohet kanali i deviacionit të punimit si dhe një pjesë e skarpatës, si dhe restaurimi i disa zyrave”, deklaroi Entiol Laço, shefi i sektorit të monitorimit të HEC-eve në “AKBN”.

Shefi i sektorit të monitorimit të HEC-eve pranë “Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore” përforcon konkluzionet e raportit të qershorit 2012, duke thënë se HEC-i duhet të kishte nisur punën më 17 korrik 2011, pra kompania ka shkelur afatet me 19 muaj deri më tani.

”Ky HEC duhet që të ishte në shërbim që prej datës 17 korrik 2011, pra është vonuar deri tani me 19 muaj”, shtoi Laço.

Konkluzionet e këtij monitorimi priten të publikohen në një tjetër raport, i cili me sa thone ekspertet e AKBN duket se do të jetë i ngjashëm me raportin e qershorit te kaluar, në të cilin agjencia del me konkluzionin se kompania koncensionare italiane “Becheti Energy Group” nuk ka realizuar shumicën e punimeve, në një kohë kur hidrocentrali duhet të ishte në fazën e prodhimit.

Top Channel