Siri, përleshje të dhunshme në Damask

07/02/2013 04:20

Luftime të ashpra kanë ndodhur në kryeqytëtin e Sirisë, Damask, teksa rebelët kanë sulmuar forcat ushtarake, besnikë të presidentit Bashar al-Assad, bëjnë të ditur rebelët dhe dëshmitarë.

Dhuna është përqendruar në distriktin Jobar, si dhe në një kryqëzim të rëndësishëm të Damaskut. Por, nuk është e qartë nëse rebelët kanë arritur të sigurojnë ndonjë territor në luftime, ndërkohë që edhe ushtria siriane ka njoftuar se ka nisur sulmet nga ana e saj.

Më herët, raportimet bënë të ditur se bombat në qytetin Palmyra vranë 19 persona. Dhuna në Damask dhe Palmyra ka ardhur pas ofertës së kreut të aleancës opozitare të Sirisë, Moaz al-Khatib, për bisedime me qeverinë, gjë për të cilën mund të tërhiqet mbrapsht, deri sa gratë e burgosura të lirohen me një afat deri të dielën.

Khatib, i cili kryeson Koalicionin Kombëtar, mori mbështetjen e SHBA-ve, OKB-së dhe Ligës Arabe, për ofertën surprizë për paqe ndaj al-Assad-it. Por, deri tani ajo është refuzuar nga qeveria siriane.

“Gratë duhet të lirohen deri në fundjavë, pikërisht të dielën”, tha ai për edicionin arab të BBC-së. “Nëse ndonjë grua mbetet sërish në burg, do ta konsideroj si një mos reagim të qeverisë”.

Më shumë se 60 mijë veta kanë vdekur gjatë konfliktit 22-mujor mes qeverisë së Assad dhe grupeve rebele.

OKB thotë se i frikësohet vazhdimit të dhunës, gjë që mund të destabilizojë të gjithë rajonin. Më shumë se 600 mijë sirianë janë larguar për në vendet fqinje, në përpjekje për t’u arratisur nga dhuna në vend, bën të ditur agjencia për refugjatët në OKB, UNHCR.

Top Channel