Fëmijët e Dashurisë

24/12/2012 00:00

Festat e fundvitit janë një gëzim familjar, por jo të gjithë mund t’i festojnë ato pranë gjirit të familjes. Fatkeqësisht as shoqëria shqiptare nuk është imune nga fëmijët e braktisur, me hir a me pahir nga prindërit e tyre, fëmijë që gjejnë një strehë të përbashkët; jetimoren.

“Fëmijët e Dashurisë”, ishte tema e takimit të kësaj të hëne në emisionin “Shqip” me gazetaren Rudina Xhunga, një apel drejtuar shoqërisë që të kthejnë sytë nga kjo shtresë, nga këta fëmijë për t’i ndihmuar jo për të zëvendësuar dashurinë familjare, por për të mbushur sadopak boshllëkun që ajo lë, në këtë 95-vjetor të Shtëpisë Vorfnore.

Ish-futbollisti dhe trajneri Bejkush Birçe rrëfeu ditët e kaluara në Shtëpinë e Fëmijës, që nga organizimi, shkollimi, festat dhe përgatitja për të përballuar sfidat e jetës.

“Shteti në atë kohë kishte krijuar gjithcka, me aq mundësi sa kishte për fëmijët. Influenca e edukimit e përkujdesjes në të gjitha këto që përbëjnë për mirëkuptimin shoqëror, ka qenë në maksimum dhe unë nuk njoh asnjë që të jetë bërë kriminel”, tha zoti Birçe.

Edhe sociologu Lekë Sokoli ndau me shikuesit e “Shqip” përvojnë e tij nëpër institucionet shtetërore të rritjes së fëmijëve në Shkodër. Prindërit e zotit Sokoli u ndanë nga jeta kur ai ishte ende duke ndjekur arsimin fillor. Ai rrëfeu se si përfundoi në jetimore nën përkujdesjen e kushtetutës së asaj kohe dhe parimin e saj që për të gjithë fëmijët e mbetur pa përkrahje, përkujdesej shteti.

Sokoli vlerësoi përkujdesjen e shtetit të asaj kohe, organizimin dhe korrektesën si dhe solidarizimin e shkodranëve me këta fëmijë.

Nga ana e tij, Birçe shtoi se fëmijët e jetimoreve të viteve të komunizmit integroheshin mjaft mirë në shoqëri, në sport, art e shumë e shumë fusha të tjera dhe kjo e gjithë falë përkujdesjes së shtetit.

Aneta shuteriqi , një ish-drejtuese e shtëpisë së fëmijëve në Shkodër dhe Elbasan rrëfeu vitet e saj në shërbim të këtyre fëmijëve, që nga mbikqyrja e pastërtisë, ushqimit e edukimit.

Top Channel