Quagliarella: Shënoj ndaj Napolit, por nuk festoj

17/10/2012 16:20

Juventus-Napoli është një sfidë shumë e veçantë për Fabio Quagliarella: sulmuesi i bardhezinjve do të ketë përballë ish-skuadrën e tij dhe ekipin e qytetit të origjinës në të njëjtën kohë.

Në një intervistë ekskluzive për sportmediaset.it, Quagliarella theksoi se nëse do të shënojë gol në këtë ndeshje, nuk do të festojë për respekt të bashkëqytetarëve të tij.

“Napoli është rritur shumë vitet e fundit dhe këtë sezon do të luftojë për fitimin e titullit kampion. Do të jetë një ndeshje e bukur”, thekson sulmuesi italian, i cili sezonin e shkuar shënoi kundër Napolit dhe nuk festoi.

Të njëjtën gjë pritet të bëjë edhe të shtunën pasdite nëse do të dërgojë topin në rrjetë: “Kur luaj kundër një skuadre ku jam ndjerë mirë, unë nuk festoj. Nëse do të shënoj ndaj Napolit të shtunën ose në të ardhmen e largët, unë do të respektoj tifozët duke mos ekzagjeruar.”

Juventus-Napoli do të luhet ditën e shtunë, në orën 18:00.

Top Channel