”Paratë e shqiptarëve armatosin Malin e Zi”

30/09/2012 11:30

Për të katërtën ditë radhazi, deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, denoncoi skandalin brenda Ministrisë së Mbrojtjes, per lidhjen e Ministrisë së Mbrojtjes me klientë të dyshimtë serbë dhe mungesën e transparencës mbi paratë e grumbulluara nga shitja e armëve shqiptare.

”Duke iu referuar dokumentave, ato që vetë Ministria thotë, këto armë kanë shkuar për armatosjen e Malit të Zi, një shteti të vogël me 600 mijë banorë, qe ne e kemi armatosur me dy predha për shtëpi. Nëse kjo është e vërtetë, ky është një skandal pasi do të thotë se taksapaguesit shqiptarë kanë paguar për të armatosur Malin e Zi”, denoncoi Braçe, i cili nga foltorja e selisë rozë, në deklaratën për shtyp gjatë paraditës, hodhi edhe një hipotezë të dytë.

”Mundësia e dytë është që dokumentat zyrtare të mos jenë të vërteta dhe kjo nuk do të ishte një çudi duke konsideruar falsifikimet që janë evidentuar edhe më parë. Nëse është kështu, përgjegjësia e ministrit Imami është edhe më e rëndë, pasi duhet të shpjegojë se ku ka përfunduar e gjithë ajo ngarkesë me municione, pikërisht në periudhën kur bota u përfshi nga trazira në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, vitet 2010-11, me lufta të përgjakshme që janë edhe sot në qendër të vëmendjes botërore”.

Në vazhdim të denoncimit të tij, duke paraqitur një listë çmimesh prej qindra dollarësh copa mbi armë si granata, granatahedhës dhe predha, Braçe kundërshtoi deklaratën e mëparshme të ministrit Imami, në lidhje me mungesën e vlerës financiare të armatimeve të vjetëruara. “Është e vërtetë që nga pikëpamja ushtarake, armët në fjalë nuk i vlenin më ushtrisë shqiptare, por nga pikëpamja ekonomike, shifrat tregojnë qartë se ato nuk ishin “plehra” siç pretendohet dhe Ministria e Mbrojtjes, ka për detyrë të administrojë këtë pasuri të shqiptarëve”.

Në fund, Braçe replikoi edhe për atë që e ai e quajti një “fushatë kërcënimesh” ndaj tij dhe ushtrakëve prej zotit Imami, duke kërkuar transparencë të plotë mbi “monopolet” brenda Ministrisë dhe kërcënoi ministrin me padi penale për çdo “hakmarrje personale” që mund të kryejë në radhët e ushtarakëve.

Në deklatën e tij të gjatë për shtyp, Braçe, disa herë theksoi se dokumentat që dispozonon Partia Socialiste, ndryshe nga sa u shpreh Ministria gjatë katër ditëve të denoncimit të këtij skandali, nuk janë as konfidenciale dhe as përbëjnë një sekret shtetëror.

”Ato duhet të ishin të aksesueshme për të gjithë, por në Ministri, këto dokumenta u varrosën për të varrosur së bashku me to aferat korruptive lehtësisht të kuptueshme në këto dokumente”, theksoi Braçe.

Armët, reagon Ministria e Mbrojtjes

Zëdhënësja e Ministise se Mbrojtjes deklaroi se deputeti, Erion Braçe po nxit shthurrjen e institucioneve, pasi po publikon dokumenta sekrete.

Ajo shtoi se shitja e municioneve është e ligjshme dhe e monitoruar, ndërsa i konsideroi si propagande komuniste pretendimet e PS për cënim të sigurisë kombëtare nga shitja e armëve në Mal të Zi.

“Shifra marramëndëse prej qindra miliona dollarësh janë fantazi e mëndjeve të sëmura pasi këto para nuk dalin dot nga municionet tona të vjetra. Ministria e Mbrojtjes do të bëjë të gjitha përpjekjet që këto municione të shiten dhe me këto para të mbeështetet procesi i demontimit të muncioneve të tepërta dhe të rrezikshme, trashëgimi të cilën na e la partia kriminale e zotit Brace. Ky është një proces tërësisht ligjor, transparent dhe i hapur për të gjitha kompanitë vendase dhe të huaja që operojnë në tregun e mallrave ushtarake. Pastrimi i ushtrisë nga plehrat e komunizmit do apo s’do zoti Brace do të bëhet. Përpjekjet e PS për të minuar e penguar reformat në forcat tona të armatosura do të marrin përgjigjen e merituar. Publikimi dhe deklasifikimi i dokumente që konsiderohen sekret shtetëror është një përgjegjësi kriminale që ky zotëri e merr përsipër. Ministria e Mbrojtjes do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të identifikuar të gjithë shkelësit e ligjit që fshihen pas këtij akti kriminal”, deklaroi Lorisa Ylli, zëdhënëse e Minstrisë së Mbrojtjes.

Top Channel