Dhjetëra mësues në gjithë vendin, në këtë fillim-viti shkollor, janë lëvizur nga vendet e tyre të punës, në shkelje të plotë me ligjin e ri të sistemit parauniversitar.

Nënkryetari i Federatës Sindikale të Arsimit, Fatmir Bezhani, ka theksuar se krerët e drejtorive arsimore në rrethe po shkelin ligjin, por edhe kontratën kolektive: “Ligji i ri është shkelur nga Zyrat Arsimore dhe nuk është zbatuar kontrata kolektive. Këto shkelje do të shkojnë në gjykatë, mësuesit do të fitojnë të drejtën e tyre dhe këto do të rëndojnë buxhetin e shtetit.”

Pak ditë më parë, kreu i kësaj sindikate tha se për arsye politike dhe korruptive dhjetëra mësues po transferohen nga një shkollë në tjetrën. Këto largime po kryhen pa asnjë kriter, ndaj një pjesë e madhe e mësuesve po i drejtohen gjykatës.

Fatmir Bezhani deklaroi: “Kemi ankesa për lëvizje të pamotivuara dhe ne kemi verifikuar rastet abuzive.”

Sipas Partisë Socialiste, Ministria e Arsimit duhet të nxjerrë akte nënligjore për zbatimin e ligjit duke mos lënë hapësira boshe ku mund të abuzohet me ligjin nga drejtorët e drejtorive arsimore. Deputetja socialiste Ledi Shamku tha se këto lëvizje po bëhen në prag të fushatës dhe në kundërshtim të plotë me ligjin e ri të arsimit parauniversitar.

Top Channel