Për Partinë Socialiste, Ministria e Mbrojtjes e drejtuar nga Arben Imami ndodhet përballë një shkelje të pastër të Kushtetutës.

Deputeti Socialist Erjon Braçe tha se armatosja e Shërbimit Informativ të Ushtrisë është në kundërshtim të plotë me ligjin, ku sanksionohet veprimtaria e këtij organizmi brenda Ministrisë së Mbrojtjes. Këtë zoti Braçe e argumentoi duke parashtruar bazën ligjore mbi të cilën duhet të veprojë Shërbimi Sekret i Ushtrisë, gjë të cilën sipas tij e anashkaloi Arben Imami gjatë prononcimit për median të enjten.

“Antikushtetutshmëria ne veprimtarine e Forcave te Armatosura dhe korrupsioni jane sot rreziku me i madh per sigurine kombetare. Antikushtetutshmëria ne veprimtarine e Ministrise se Mbrojtjes, vecanerisht te  SHIU-t perben nje rrezik te madh per demokracine. Ky eshte ligji, te cilin dje ministri Imami nuk denjoi, jo ta publikonte, por nuk denjoi as t’i referohej ne te gjithe deklaraten e tij. Ne baze te ketij ligji, ne nenin 2, misioni i Sherbimit Informativ Ushtarak eshte ky: SHIU, grumbullon, analizon, administron te dhena per veprimtarine qe cenojne sigurine kombetare, kercenime te mundshme ose rreziqe ndaj Forcave te Armatosura, qe vijne nga jashte ose shfaqen brenda vendit, per t’i paraqitur ato tek autoritetet e Forcave te Armatosura. Neni 5: SHIU, ne zbatim te misionit te mesiperm kryen dhe realizon keto detyra, grumbullon, analizon dhe paraqet informacion per veprimtari, te cilat kercenojne dhe rrezikojne integritetin e vendit, rendin kushtetues, planet ushtarake mbrojtese dhe realizimin e Misionit te Forcave te Armatosura. Pra, misioni dhe detyra e Sherbimit Informativ Ushtarak jane vetem grumbullimi, analizimi, paraqitja e informacioneve qe lidhen vetem me veprimtarine e Forcave te Armatosura te Republikes se Shqiperise”, tha Braçe.

Erjon Braçe ftoi Prokuroren e Përgjithshme të nis hetimet për armatosjen e SHIU-t, pasi në një prej neneve të ligjit për SHIU-n, organit të akuzës i jepen të gjitha atributet për të kontrolluar veprimtarinë e këtij shërbimi, gjë për të cilën socialistët hedhin dyshime se Prokuroria nuk e ka zbatuar këtë nen që ja kërkon ligji.

“Armatosja e SHIU-t me pistoleta speciale, pistoleta pa ze, automatike luftarake, snajpera, per me teper dy dite pas 21 janarit eshte krim kushtetues, madje krim i rende kushtetues. Pikerisht per kete arsye i kerkova nje dite me pare, po i kerkoj edhe sot dhe do ta bej cdo dite ne vijim, Prokurorise se Pergjithshme te nise hetimet kryesisht per krimin e armatosjes me arme luftarake te Sherbimit Informativ te Ushtrise, me urdher, firme dhe vile te ministrit Imami”, tha Braçe.

Duke iu referuar një dokumenti zyrtar Erjon Braçe bëri publik faktin se me firmën e kryeministrit Berisha është kërkuar kontrolli veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes që lidhet me blerjen e armatimeve, ku përfshihen edhe ato pajisje ushtarake dhe logjistike për SHIU-n.

Konkluzionet e këtij kontrolli- tha Braçe- do të bëhen publike në ditën në vazhdim pasi PS dispon të gjithë dokumentacionin për këtë çështje. Partia Socialiste ka nisur prej tre ditesh denoncimin e abuzimeve ne Ministrine e Mbrojtjes, duke nxjerre deri tani dokumenta per blerje me vlere mbi 1.6 milone dollare.

Ministria e Mbrojtjes: Blemë armatim për oficerët e SHIU-t

Ministria e Mbrojtjes reagoi përmes zëdhënëses së saj ndaj akuzave të PS dhe tha se kërkesa e kryeministrit Berisha për kontroll është e ligjshme.

Ministria pranoi se ka blerë armë për oficerët e SHIU-t, ndërsa akuzoi Braçen se është i lidhur me metastazat e sigurimit të shtetit që komandohet nga Partia Socialiste.

“SHIU nuk ka blerë snajperë për arsye administrative, jo për arsye ligjore. SHIU nuk pajiset ilegalisht, por pajiset për armatimet e personelit që vë jetën në rrezik. Deputeti Braçe është i lidhur me metastazat e sigurimit të shtetit që komandohet nga PS. Është një fakt tjetër se çdo institucion shtetëror kontrollohet, por në bazë të ligjit”, deklaroi zëdhënësja. 

Top Channel