“Top Story”: Skandali i reklamave qeveritare

27/09/2012 21:50

Media dhe gazetarë të caktuar mbajnë qëndrime të caktuara, qoftë edhe politike, në Shqipëri dhe kudo në botë, por që në emër të këtij qëndrimi të financohesh drejtëpërdrejtë me paratë e buxhetit të shtetit, në shkelje me rregullat e konkurrencës dhe ligjeve në fuqi, kjo përbën një problem.

Partia Socialiste, në dy javët e fundit ka denoncuar një skandal të financimit të mediave në mënyrë të pabarabartë, në bazë të kritereve të afërsisë me pushtetin.

Pikërisht për të folur për këtë shpërndarje të pabarabartë, Sokol Balla bashkoi në studion e tij të “Top Story”-t denoncuesin kryesor të këtij skandali, deputetin socialist Eduard Shalsi, të vendosur përballë një paneli ekspertësh, si analisti dhe manaxheri i Universitetit Europian të Tiranës, Henri Çili, kryeredaktori i lajmeve në “Top-Channel” dhe kryetari i Forumit për Mendimin e Lirë, Mentor Kika dhe analisti i pavarur e ish-pronari mediatik, Shpëtim Nazarko.

”Të gjithë denoncimet dhe gjithçka kam treguar në këto dhjetë ditë, ka qenë e bazuar në dokumenta të ministrave apo sekretarëve të përgjithshëm të Ministrive. Ndonëse kemi më shumë informacione, tani për tani i jemi referuar vetëm shkresave zyrtare, me përgjigjen që i kanë ardhur kërkesave tona. Në vendet e pazhvilluara, qeveria ushtron trysni dhe media nuk është e lirë, ndërsa në vendet e zhvilluara, konflikti ekziston, por i kamufluar dhe në norma krejtësisht të ndryshme. Në Shqipëri, ndodh rasti i parë”, deklaroi Shalsi.

Në vazhdim të fjalës së tij në studion e Sokol Ballës, socialisti vuri në dukje se “për hir të së vërtetës, një pjesë e mirë e dokumentave janë publikuara edhe më parë, por ndoshta jehona ishte më e madhe sepse për herë të parë pati një sintezë të shumave që i ishin akorduar mediave të veçanta dhe ajo që binte në sy ishte llokma më e madhe, mbi 70% që e kishte marrë një klan mediatik, i cili dukshëm është pozicionuar jo vetëm krah qeverisë, por shpesh desinformon opinionin publik për interes të saj. Këto që kemi publikuar janë vetëm maja e ajsbergut, është kurajo e jashtëzakonshme të financosh organet e PD-së, me paratë e taksapaguesve dhe kjo është edhe antiligjore”.

Në fjalën e tij, zoti Çili e konsideroi skandalin si të ekzagjeruar dhe vetë premisat e të “ashtuquajturi” skandal jo të qarta, duke qenë se në Shqipëri mungojnë agjensitë serioze të sondazheve mediatike mbi audiencën. “Kjo është temë shumë e rëndësishme për t’u diskutuar. Jam pro idesë që qeveria të drejtojë fonde drejt mediave për qëllim reklame dhe mendoj se kjo shifër është jashtëzakonisht e vogël në krahasim me buxhetin e shtetit. Gjithashtu, shtoj se diskutimi qëndron në mënyrën e shpërndarjes së kësaj shifre, sa e drejtë është shpërndarja. Në teori është edhe vështirë të thuash se pse një mediaje i takon më shumë se një tjetre. Nuk mund të jesh i drejtë në matje”.

Në replikë me Çilin, Shalsi shpjegoi kriterin e shpërndarjes së reklamës qeveritare, duke theksuar se nuk ka pasur të bëjë asgjë me audiencën e mediave apo ligjet në fuqi. “Kriteri dhe norma është jashtëzakonisht e qartë. Do të doja t’ thoja Çilit që nuk e zgjodha unë audiencën në studio dhe që gjatë një jave e dhjetë ditëve denoncime prita përgjigjen e palës tjetër. Kuptohet, ne nuk e kemi monopolin e të vërtetës, por nga ana tjetër, më është dukur e habitshme se si nuk pati asnjë reagim serioz qeveritar. Lidhja, kriteri i shpërndarjes është jashtëzakonisht i qartë. Nëse përkrah qeverinë dhe kryeministrin fiton financime të jashtëzakonshme qeveritare. Mbase në shtatë vjet ju mund të argumentoni se 14 milionë euro janë pak, por ju kujtoj që kemi publikuar vetëm një pjesë të dokumentave, vetëm gjashtë Ministri dhe janë edhe të gjithë të tjerat pa publikuar. Mendoni se “Klan TV” dhe kompania e saj “Promo” i kanë fituar në mënyrë të ligjshme këto para? Absolutisht jo!”, deklaroi socialisti Shalsi.

Përsa i përket Kikisë, debati nuk duhet të përqendrohet vetëm tek mënyra se si janë shpërndarë spotet publicitare, por edhe për thelbin e këtyre reklamave. “Oër të thënë nëse kjo reklamë është abuzive, dua të bëj diferencime tek reklamat. Ka reklama të nevojshme që i transmeton çdo qeveri dhe reklama si këto që nuk i shërbejnë shoqërisë, por spote propagandistike. Financimi i RD-së përmes reklamave është në mënyrë të drejtpërdrejtë financim i Partisë Demokratike. Shpërndarja duhet të bëhet sipas tirazhit të gazetave dhe audiencës së televizioneve. Megjithatë, duket qartësisht se ky nuk ka qenë një kriter mbizotërues në mënyrën e shpërndarjes”.  

Nga ana e tij, Nazarko përqendroi bisedën tek problemet dhe boshllëqet e ligjit, që ka lejuar më pas autoritetet që të veprojnë në këtë mënyrë. Duke cilësuar si të palogjikshëm ligjin që çon reklamën automatikisht tek ofruesi më i lirë, pasi kjo do të çonte spotet në mediat më të dobëta dhe kriterin e dytë për marrjen e reklamës tek ofruesi më i shpejtë, Nazarko theksoi: “Supozojmë se Shalsi ka të drejtë në akuzat e tij. Nëse do të shkosh në gjykatë asnjë nuk dënohet sepse kemi të bëjmë me një ligj qesharak dhe ky është problemi. Jam i sigurtë që PS-ja dhe PD-ja kanë bërë një politikë njësoj të pistë. Kur është bërë ligji qesharak duhej kundërshtuar menjëherë sepse ai favorizon që këto reklama të shkojnë tek “Gazeta 55”. Duhej bërë presion që ky ligj mos të kalonte”.

Në reagim me këtë konstatim, Shalsi ndërhyri në bisedë duke evidentuar pamundësinë e Partisë Socialiste për të ndryshuar këtë ligj. “Edhe një herë theksoj se nëse paguan paratë publike për të financuar partinë, kjo përbën vepër penale dhe pikërisht për këtë gjë, do të depozitojmë një kallëzim penal për Sokol Olldashit. E dyta, ju me të drejtë fajësoni ligjin (i drejtohet Nazarkos), por çfarë mund të bëjmë ne për ta ndryshuar, kur në Parlament nuk kemi as votat dhe as vullnetin e maxhorancës, që sillet në mënyrë represive ndaj opozitës”.

I pyetur për qëllimin e Partisë Socialiste në denoncimin e këtij skandali, në është një aksion që synon të korrigjojë diçka apo vetëm të anatemojë televizionin “Klan” përpara zgjedhjeve, Shalsi u përgjigj: “Sigurisht që jo kjo e fundit, por të gjitha ato të mëparshmet. Nëpërmjet këtij denoncimi, duam t’i tregojmë shqiptarëve atë që ndodh në tregun mediatik dhe përse “Klan”-i mbron në mënyrë të vërbër qeverinë. Tashmë është e qartë, janë pra milionat e eurove. Së dyti, duhet të nxjerrim dhe ne mësime, që në të ardhmen të mos bëjmë të njëjtat gabime dhe natyrisht që kjo që u shpalos këtë herë me dokumente zyrtare, të mos përsëritet përsëri. Duke qenë se PS është një forcë alternative, nëpërmjet këtij skandali tregojmë edhe se cili është misioni dhe vizioni ynë për të ardhmen. Përsa i përket pyetjes së Çili, do të thoja se ai nuk është neutral, por një person i njëanshëm. Dua të them, që ka një problem moral kur nuk shtiresh si një analist që mbron të drejtat e mediave, shoqërisë civile dhe kauzave të tjera publike, në të njëjtën kohë që ushqehet me paratë e pushtetit”.

Një koment i tillë, gjeti një reagim të ashpër në studio, me zotin Çili që evidentoi se qëndrimet e tij nuk kanë qenë politike dhe se në momente të ndryshme, ka ndarë qëndrime të kundërta politike, me raste të mbështetje dhe kundërshtim të të njëjtës figurë apo forcë politike në të shkuarën. Sipas zotit Çili, mënyra se si “Shalsi akuzon në studio, është një provë e qartë e mendësisë së të shkuarës”.

Reagimi i kryeredaktorit të “Rilindjes Demokratike”: Akuzat një shpifje, kemi marrë vetëm botime zyrtare

I mbërritur në studio në pjesën e tretë dhe të fundit të emisionit për të mbrojtur gazetën e tij nga akuzat e lëshuara, kryeredakori i “Rilindjes Demokratike”, Blendi Kasmi, shpjegoi fillimisht arsyet përse ai nuk pranoi që të ishte i pranishëm që prej fillimit të emisionit. “Dua të sqaroj fillimisht mungesën time në studio që prej fillimit të këtij emisioni. Ftesa u bë në katër pasdite të mërkurën dhe nuk kisha mundësinë të mblidhja një dokumentacion të plotë. Ishte një kohë e pamjaftueshme. Kuptohet që Shalsi ka pasur gjashtë muaj që merret me ketë problem, ka selektuar dokumentet dhe tani vjen e bën propagandë. Është e lehtë të të duket vetja luan pa kundërshtar përballë, por kjo nuk është etike”, nisi replikën e tij në studio zoti Kasmi.

Përpara se të vazhdonte replikën e tij, drejtuesi i emisionit, Sokol Balla, saktësoi se koha në dispozicion për mbledhjen e dokumentave ishte më e gjatë, pasi ftesa ishte bërë 48 orë më parë.

Pa u ndalur në këtë pikë, Kasmi konsideroi akuzat e socialistëve si një “fushatë përbaltjeje” dhe “gjuetie shtrigash”.  “Është mirë të bëhet një transparencë në lidhje me reklamat shtetërore, por ne nuk kemi përfituar reklamë, por botimet për shpronësimet. Nuk kemi publikuar asnjëherë reklamë, në kuptimin që i bëjmë reklamë një zyrtari apo institucioni. Kjo është një qeveri që ka bërë 10 mijë kilometra rrugë, prandaj shpronësimet kanë qenë të shumta dhe ky është zëri i vetëm i fondeve qeveritare që kemi marrë”.

Në lidhje me shumën prej 500 mijë dollarësh, që sipas PS ka përfituar “RD”, një organ zyrtar i Partisë Demokratike, Kasmi theksoi: “Mund të jenë më tepër ose më pak. Nuk jam ballafaquar me dokumentat e Drejtorisë së Transporteve për shkak të kohës së shkurtër. Mund të jenë më pak ose më shumë. Duke qenë një gazetë e afërt me qeverinë, jemi edhe më të besueshëm për këtë. Nuk është vetëm gazeta “RD” që ka përfituar nga “MT”, por gati 20 gazeta që kanë përfituar nga fondet për shpronësimet. Se cila është transparenca, akuzat e PS janë të njënashme, kanë nxjerrë në publik akuza ndaj atyre që i shohin si armiq dhe i kanë këto akuza si “fletë rrufe”. Nuk ka lidhje me ballafaqimin e fakteve dhe realitetit, nuk kanë asnjë të vërtetë dhe janë vetëm “fletë rrufe”. Transparenca të bëhet që nga koha kur ishte Rama kryetar bashkie, prandaj kam dashur të pres, që të publikoj edhe se si shkonin fondet në atë kohë, për të mos folur për tenderat e Koço Kokëdhimës dhe të tjerëve”.

Në komentin e tij, Shalsi me doza të qarta ironie shtoi: “Më vjen mirë që më në fund u bë dikush burrë dhe doli të deklarojë diçka. Kryeredaktori i RD-së, ende nuk e di dhe pret që ta marrë vesh shumën që ka përfituar. Pastaj, nuk paskan qenë reklama, por shpronësime, një nonsens ky. Nonsensi i dytë është ai që “RD” na i paska marrë këto “reklama” sepse është gazeta më e besueshme. Organi i PD-së, na qënka pasqyra e së vërtetës dhe ky është nonsesi i dytë i madh. Shpreh keqardhjen që niveli ra në këtë nivel, por fundja nuk mund të pritet ndryshe, nga kryeredaktori dhe njeriu që ka marrë 500 mijë euro vetëm nga një ministri, shumë që me siguri do të rritet kur të denoncojmë probleme të tjera në ditët në vazhdim”.

Në fund, në përgjigje të akuzave të Kasmit për marrjen e reklamave bashkiake në kohën e drejtimit të Bashkisë së Tiranës nga Edi Rama, “Top-Channel” u përgjigj me një kronikë që evidentonte se si në katër vitet e mandatit të fundit të Ramës, 2007-11, në total iu akorduan televizionit tonë një shumë prej 45 mijë dollarësh, sa 0,2% e totalit të shumës që gjashtë ministri shpërndanë në disa kompani dhe televizione kryesisht pranë qeverisë apo sa 8% e totalit të përfituar në pesë vjet nga gazeta “Rilindja Demokratike”, një organ i partisë në pushtet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA