Nishani: Presim marrjen e statusit

27/09/2012 23:30

Në vijim të qëndrimit të tij në Nju Jork, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mbajti fjalim në debatin e përgjithshëm të sesionit të 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Duke theksuar angazhimin për kryerjen e të gjitha reformave per integrimin  evropian, presidenti tha se në javët e ardhshme, vendi ynë pret një përgjigje pozitive për marrjen e statusit të vendit kandidat.

“Në rrugën tonë drejt zhvillimit, përparimit dhe begatisë së qëndrueshme, ne mbetemi tërësisht të angazhuar e të përkushtuar për kryerjen e të gjitha reformave dhe marrjen e të gjitha masave të nevojshme për vazhdimin e suksesshëm në udhën e integrimit drejt Bashkimit Evropian. Kjo nuk është alternativë, por një zgjedhje e kujdesshme afatgjatë, e cila është duke u ndjekur prej vitesh dhe në jemi të vendosur për ta bërë të mundur e për ta kthyer në realitet. Në javët e ardhshme, ne presim dhënien e një vendimi të favorshëm nga Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian ndaj kërkesës sonë për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian”, tha presidenti Nishani.

Presideni Nishani u ndal edhe tek Kosova duke bërë thirrje për shtimin e njohjeve nga të gjitha vendet që nuk e kanë njohur ende.

“Vetëm disa ditë më parë, Kosova arriti një tjetër nivel të konsolidimit të shtetit me dhënien fund nga ana e bashkësisë ndërkombëtare të Fazës Mbikëqyrëse të Pavarësisë. Përfitoj nga ky rast për të uruar autoritetet e Kosovës mbi përparimin e vazhdueshëm që kanë shënuar përsa i përket ndërtimit dhe fuqizimit të një shteti demokratik dhe një shoqërie shumëetnike dhe u bëj thirrje të gjitha atyre vendeve, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, të marrin parasysh rishikimin dhe vlerësimin e këtij realiteti të pakthyeshëm në rajonin e Evropës Juglindore. Njohja e Kosovës është një akt drejtësie për ata njerëz, të cilët kanë vuajtur aq gjatë dhe një kontribut tërësor për paqen dhe qëndrueshmërinë në Ballkan”, theksoi presidenti, Bujar Nishani.

Në përfundim të fjalës së tij, presidenti Nishani siguroi Kombet e Bashkuara për kontributin e Shqipërisë në përparimin e paqes, lirisë dhe sigurisë në botë.

Top Channel