Vesh njëkohësisht 302 palë mbathje

19/09/2012 16:20

Një burrë anglez ka arritur të veshë 302 palë mbathje duke thyer rekordin botëror për më shumë mbathje të veshura në të njëjtën kohë.

Gary Craig, i cili e quan veten “Njeriu-Brekë”, vitin e kaluar hyri në librin e rekordeve Guiness me 211 palë mbathje, por në shkurt të këtij viti amerikania Janine Keblish ia mori rekordin me 252 palë mbathje të veshura.

Kështu që 53-vjeçari të dielën vendosi të rimerrte atë që i takonte duke kaluar kufirin e numrit 300.

“Prova shkoi shumë mirë. Jam i vetmi person në botë që ka thyer dy rekorde të tilla sepse mendoj se jam i vetmi aq i çmendur sa për ta provuar këtë gjë dy herë. Shkova deri në 302 sepse dua që personi tjetër që do të tentojë të më thyejë rekordin ta ketë shumë të vështirë”, deklaroi Craig, siç publikon ‘Daily Mail’.

“Është shumë e vështirë të veshësh kaq shumë mbathje sepse ato peshojnë”, shtoi 53-vjeçari, i cili ka filmuar gjithçka dhe videon e ka dërguar tek komisioni i rekordeve Guiness. Tashmë ai pret vetëm konfirmimin e rekordit të ri që vendosi të dielën.

 

Top Channel