Shqipëria është vendi ideal për të fluturuar. Majat e maleve, kushtet klimatike dhe pamja që ofrohet është perfekte për t’i marrë maksimumin kohës kur je në fluturim.

Llogaraja është një nga pikat më të frekuentuara nga aeronautët dhe amatorët e fluturimit. Jemi rreth 900 metra mbi nivelin e detit dhe jo rrallëherë ky vend pret për herë të parë ata që duan të provojnë një aventurë të tillë.
 
Për t’u bërë gati nuk duhen shumë gjëra sepse në thelb ky lloj fluturimi është shumë i thjeshtë. Duhet të vësh kaskën në kokë dhe të lidhesh në mënyrën e duhur me instruktorin.
 
Nëse është e thjeshtë të bëhesh gati si amator, sigurisht instruktori ka përgjegjësi më të mëdha. Ai duhet të përzgjedhë një vend me hapësirë të madhe pasi vela nuk duhet të hasë në asnjë objekt sado të vogël pasi kjo jep pasoja në fluturim. Po aq e rëndësishme është edhe llogaritja e vendit ku do bëhet ulja. Sigurisht nuk është e këndshme të biesh në majën e ndonjë çatie, në ndonjë pemë apo ndonjë kabinë makine.
 
Frika? Ndahet me ty sapo shkëputesh nga toka. Një pamje e mrekullueshme. Kur e shikon nga rruga nuk ka të njëjtën kthjelltësi. Duket sikur gjithçka mbulohet me mjegull. Ndërsa nga vela, befas çdo gjë qartësohet, duket si një pikturë që sa më pranë i afrohesh, aq më të qarta i bëhen ngjyrat.
 
Udhëtimi është 15 minuta, por në ajër koha peshon pak.
 
Cdo gjë shkoi shumë mirë, por kur afrohemi pranë tokës sërish na pushtojnë emocionet. Duket sikur nuk do të dimë të vendosim këmbët në tokë.
 
Kur fluturon për herë të parë është e domosdoshme që të fluturosh dyshe. Ata që janë vërtetë të apasionuar dhe duan ta drejtojnë vetë një velë, duhet të përgatiten me një kurs. Vetëm pas 20 fluturimesh mund të jesh gati për të shijuar i vetëm panorama mahnitëse që për fat të mirë, vendi ynë ka plot.
 
Ky sport është praktikuar për herë të parë në Shqipëri pas viteve ‘90, një kohë e vonshme po të llogarisësh se në botë fillesat janë në vitet ‘50.
 
Fluturimi me vela është një sport që i reziston kohës jo vetëm ngaqë është komod, pasi velat janë lehtësisht të transportueshme me një çantë shpine, por dhe sepse pavarësisht se nuk përdoret motor, fluturimi mund të zgjasë shumë orë dhe të mbulojë qindra kilometra.
 

Top Channel