Ina Rama, takim me kryeprokurorët e rretheve

23/07/2012 18:55

Prokurorja e përgjithshme Ina Rama dhe zëvendësministri i Drejtësisë, Ermal Dobi zhvilluan një takim me drejtuesit e prokurorive në rrethe, ku dhe u prezantuan 12 rekomandime të Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2012.

Në vend të parë të 12 rekomandimeve për prokurorinë shqiptare qëndron forcimi i së drejtës për të garantuar pavarësinë dhe efiçencën e institucioneve të sistemit të drejtësisë, për t’u pasuar më tej me forcimin e luftës kundër korrupsuionit, lidhur me trajtimin e çështjeve të korrupsionit në të gjitha nivelet.

Qeveria vijon me rekomandimet e saj për prokurorinë duke kërkuar forcim të bashkëpunimit mes prokurorisë me Doganat dhe Tatimet për proçedimin e veprave në këtë fushë dhe ato që lidhen me taksat dhe tatimet.

Ndërkohë që për krimin e organizuar, qeveria i kërkon prokurorisë të forcojë luftën duke rritur bashkëpunimin me partnerët rajonalë. Kërkohet gjithashtu përmirësimi i zbatimit të të drejtave të të ndaluarve në rajonet e policisë, në paraburgim dhe në burgje, si dhe forcimi i hetimeve ndaj çështjeve të keqtrajtimeve, si dhe zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit.

Këshilli i Ministrave rekomandon që të zbatohen afatet e hetimit paraprak, të kryhen veprime të rregullta të vijueshme në ndjekjen penale, si dhe të ngrihen seksione në prokurori për hetimin e krimeve kompjuterike.

Top Channel