Burgu ku gratë lidhen me zinxhirë

29/06/2012 17:50

Imazhi i të burgosurve të lidhur pas njëri-tjetrit me zinxhirë është i pranishëm në shumë prej filmave amerikanë që portretizojnë të shkuarën e “far-west”.

Megjithatë, një burg i tillë ekziston edhe në ditë e sotme, ku vuajnë dënimin disa prej femrave më të rrezikshme në të gjithë SHBA-në.

Në fakt, dita për të burgosurat nis që në orën gjashtë të mëngjesit dhe pasi lidhen me zinxhirë në kyçet e këmbëve, dërgohen për të punuar jashtë perimetrit të burgut, në shkretëtirën e Arizonës.

Midis punëve të rënda që duhet të bëjnë përfshihet varrosja e trupave të panjohur në një zonë ku temperaturat arrijnë vazhdimisht mbi 40 gradë celcius, pastrimi i çizmeve të policëve, pastrimi i mbeturinave buzë autostradës apo transportimi i sendeve të rënda për llogari të burgut apo ndonjë kompanie që vendos të paguajë ditën e tyre të punës.

Ndonëse lidhja me zinxhirë u ndalua në SHBA në vitet 1950, sherifi i Arizonës, Joe Arpaio, i cili krenohet duke u vetshpallur si “sherifi më i frikshëm i SHBA-ve”, bëri çmos dhe riktheu këtë formë të trajtimit të të burgosve në shtetin e tij në vitin 1995.

Megjithatë, pjesëmarrja në këto punë të rënda është vullnetare dhe të burgosurat mund të zgjedhin edhe mundësinë e dytë, që të qëndrojnë për 23 orë në ditë brenda një qelie gjashtë metra kartror, me një orë të vetme ajrosje në ditë.

Top Channel