“Kushërinjtë, gjithçka për mua”

28/06/2012 00:00

“Për mua kushërinjtë janë shumë të rëndësishëm se janë gjaku im. Me ata kuptohem, kam kaluar momentet më të bukura të fëmijërisë dhe vazhdoj të dëgjohem gjatë të gjithë kohës. Për këtë arsye, marrëdhëniet me ta më duken absolutisht të nevojshme”.

Ky është Oltjon Rukaj, djali shkodran që nga qyteti i tij nuk ka trashëguar vetëm kulturën dhe traditën, por edhe dashurinë e madhe për njerëzit e tij.

Vazhdon studimet në Universitetin e Tiranës, megjithatë, pavarësisht të gjitha angazhimeve të përditshme, ai gjen gjithmonë kohë për kushërinjtë dhe kushërirat e tij.

“I takoj shpesh, ndodhta në fundjavë dhe bëj çmos sepse në të vërtetë janë njerëzit më të afërt dhe mendoj se gjë e mirë të jesh afër njerëzve të tu. Padiskutim, gjithmonë përpiqem të gjej kohë dhe mundësinë për t’i takuar”, thotë Rukaj.

Sakrificat janë të të gjitha palëve. Pavarësisht “ideve tabu” se kushërirat nuk kanë marrëdhënie të mira me kushërinjtë, në këtë rast ndodh krejt e kundërta.

Gerta, kushërirë e parë me Oltonin, shprehet: “Është një pjesë shumë e rëndësishme dhe kam marrëdhënie të mira me kushërinjtë në përgjithësi, sidomos me ata që kam një afërsi në lidhje gjaku. Shoqëria e tyre është shumë më e pastër se një shoqëri që mund të gjesh diku tjetër”.

Për Oltjonin është shumë e rëndësishme edhe shoqëria me të cilën kalon pjesën më të madhe të ditës, por asgjë dhe askush nuk mund të zëvendësojë vendin e miqve të tij më të mirë, vendin e miqve të tij të privilegjuar, kushërinjve të tij të parë.

“Me kushërinjtë është më e lehtë të kuptohesh, pasi i njeh më mirë dhe e di se si janë rritur e jetojnë. Unë i shoh nga afër dhe i kuptoj shumë më mirë”, vlerësoi Oltjoni.

Janë të paktë ata njerëz që bëjnë përpjekje për t’u takuar me djalin e hallës apo vajzën e dajës. Por, të rinjtë e familjes Rukaj, nuk janë prekur ende nga kjo sindromë e shoqërisë. Ata flasin në telefon, takohen për kafe, krijojnë debate, organizojnë festa dhe vazhdojnë të ruajnë kontakte intensive jo vetëm me moshtarët e tyre, por me të gjithë fisin.

Top Channel