Aq shumë kushërinj sa nuk mbahen mend

28/06/2012 00:00

Shtëpia e Xhaje Kukës nuk është asnjëherë bosh. Ajo ka 10 fëmijë dhe 52 nipër e mbesa…. Deri tani.

“Janë aq shumë, sa nuk i mbaj mend të gjithë”, thotë 68-vjeçarja nga fshati Plan i Bardhë në Klos. Ajo tregon se jeta e saj nuk ka qenë aspak e lehtë. U martua 14 vjeç dhe fëmijën e saj të parë e solli në jetë kur sapo kishte mbushur të shtatëmbëdhjetat.

“Zoti më ka lënë gjallë dhjetë fëmijë. Katër të tjerë më kanë vdekur, ndërsa katër i kam dështuar. Atëherë kjo ishte gjë e natyrshme. Dy prej fëmijëve i kam lindur vetëm në pyll, ndërsa kordonin ia prisnim ashtu, me sqepar”, thotë e moshuara.

Por, çfarë do të thotë thotë të kesh një familje kaq të madhe? ‘‘E ndiej veten mirë kur i shoh të gjithë bashkë, por fatkeqësisht takohemi gjithmomë e më rrallë“, thotë e moshuara.

Liria, si vajza më e vogël e Xhajes, është edhe më e preferuara e saj. Ato jetojnë vetëm disa km larg njëra-tjetrës, e megjithatë shihen shumë rrallë.

“Jemi një familje shumë e madhe dhe më e keqja është se jemi shpërndarë kudo, e si rrjedhojë shihemi rrallë. Kurbeti ka bërë që të takohemi vetëm për ndonjë drekë a ndonjë darkë. Hera e fundit që jemi bërë bashkë ka qenë 2-3 vjet më parë. S’takohemi dot shpesh, sepse shumica punojnë gjatë të gjithë ditës e nuk kanë kohë për të na vizituar njëri-tjetrin”, shprehet Liria.

Edmondi është djali që vazhdon të jetojë më nënë Xhajen dhe që ndjen shumë mungesën e nipërve dhe mbesave të tij. “Jam i lumtur se sa më shumë të jesh aq më mirë është. Por, ka kohë që shumica janë larguar dhe shihemi një herë në 2-3 vjet. Të detyron puna”, thotë ai.

Sot është e rrallë të kesh guximin për të krijuar një familje kaq të madhe. Por, për të vegjëlit e familjes Kuke, pavarësisht se janë larg njëri-tjetrit dhe e kanë të vështirë t’i mbajnë mend emrat e kushërinjve të tyre, ata kanë mall dhe e kanë ëndërr të mblidhen të paktën njëherë të gjithë së bashku. Mesa duket këtë fakt, më shumë nga të gjithë e vuan nëna e familjes.

Loreta dhe Amarildo janë vetëm 2 prej fëmijëve të brezit të ri. Ata janë të vegjël, por kanë filluar të kuptojnë vështirësitë që krijohen kur ke kaq shumë të afërm.

“Unë jam e fundit, e 52-ta midis kushërinjve dhe nuk takohemi shpesh sepse ata janë larg, por është e bukur të kesh një fis kaq të madh”, thotë Loreta.

Mund të kalojnë edhe disa muaj, mund të kalojnë edhe disa vite, por ndoshta, një ditë, njëri prej kushërinjve do të arrijë t’i mbledhë 51 të tjerët.

Top Channel