“Coca-Cola” dhe “Pepsi” kanë alkool

27/06/2012 16:30

“Cola-Cola” dhe “Pepsi” përmbajnë gjurmë alkooli, informoi një studim shkencor francez ditën e mërkurë.

Zbulimi mund të përbëjë një shqetësim të madh për miliona konsumatorë të pijeve freskuese, si për arsye shëndetësore, ashtu edhe për ato fetare.

Sipas testimit të kryer nga Instituti Kombëtar i Ushqimit në Paris, më shumë se gjysma e pijeve kanë një përqendrim alkooli në doza tepër të vogla.

Michel Pepin, drejtor shkencor i “Coca-Cola” në Francë, pranoi mundësinë: “Është e mundur që gjurmë alkooli të krijohen nga procesi i bërjes së pijes nga receta e saj sekrete. Megjithatë, do të ishte qesharake të flitej për një pije alkoolike, pasi përqindja është krejtësisht e papërfillshme”.

Publikimi i rezultateve tregoi se përqendrimi i alkoolit është prej 10 miligramësh për litër ose më i vogël, duke mos kaluar në rastin më të mirë 0,001% alkool per pije.

Megjithatë, një përqindje e tillë, ndonëse e papërfillshme, mund të ngjallë reagimin e ashpër të komuniteve muslimane në botë e madje mund të sjellë edhe një bllokadë ndaj pijes prej vendeve muslimane, ku “Coca-Cola”, “Pepsi” dhe produktet e tjera të ngjashme janë në modë.

Top Channel