Miqësia e luanit me qenin dhe lepurin

25/06/2012 10:50

Është njësoj si të lexosh një përrallë: tre kafshë që vështirë se shkojnë me njëri-tjetrin kapërcejnë “divergjencat” dhe krijojnë një miqësi të adhurueshme.

Një luan i vogël me emrin Simba (si tek filmi Mbreti Luan), një lepur me emrin Thumper dhe një qen me emrin Monty rriten së bashku në Edinburg, në shtëpinë e dy punonjësve të një kopshti zoologjik.

Treshja e kalon ditën duke luajtur dhe videot e tyre kanë bërë xhiron e botës pasi janë publikuar në internet. Simba, i cili është 13-javësh u largua nga nëna e tij në kopshtin zoologjik të Edinburgut pasi u sëmur dhe gjatë kohës që qëndroi në shtëpi krijoi lidhje të ngushtë me lepurin dhe qenin.

Gjithsesi, një shoqërie të tillë do i vijë fundi pas shërimit të plotë të Simbës. Luani do të kthehet tek familja e tij e vërtetë së shpejti edhe për faktin se po rritet shpejt dhe nuk mund t’i zësh më besë.

Kujdestari i tij shpjegon në një video të publikuar në Youtube: “Sa më shumë rritet, aq më shumë egërsohet. Kur shkoj në mëngjes në tualet gjej një luan që më vërsulet tek këmba.”

 

Top Channel