New York, shtiret si kritik arti

23/06/2012 00:00

Një pikturë e famshme e piktorit surrealist Salvador Dali është vjedhur në një mënyrë spektakolare në një galeri të New York.

Në sajë të një mashtrimi fare të thjeshtë, një person arriti ta vidhte pikturën me vlerë 150 mijë dollarë në mënyrën më komode të mundshme. Duke u shtirur si kritik arti, burri pamja e të cilit është kapur thuajse e plotë nga kamerat e sigurisë, i kërkoi njërit prej policëve lejen për t’i bërë një foto pikturës në fjalë.

Në momentin që polici është larguar pak më tutje, burri ka marrë nga muri pikturën e Dali, e ka futur në një valixhe të zezë të madhe dhe është larguar nga galeria krejtësisht i qetë dhe i pashqetësuar.

Personi që ka kryer vjedhjen spektakolare është filmuar nga kamera e sigurisë teksa largohet qetësisht me valixhen e madhe në duar; ai është diku tek 35-45 vjeç, me flokë të rënë dhe këmishë të bardhë me të zezë. Piktura  e Dali i përkiste vitit 1949 dhe quhej “Cartel des Don Juan Tenorio”.

Top Channel