Misteri pas bllokimit të “Twitter”

22/06/2012 11:20

Dy bllokime të rënda goditën rrjetin shoqëror “Twitter” mbrëmjen e së enjtes dhe në orët e para të së premtes, duke krijuar probleme të shumta në përdorimin e faqes kudo në botë.

Pas një prej ndërprerjeve më të rënda të muajve të fundit, kompania me qendër të San Françisko fajësoi një problem të një prej hallkave të saj teknologjike, si shkaktar të bllokimit.

Deklarata e “Twitter” erdhi pasi një prej vetë përdoruesve të saj, “UGNazi”, mori përsipër përgjegjësinë si një “hacker” që kishte rrëzuar faqen.

Një pretendim i tillë është mohuar kategorikisht nga rrjeti shoqëror i dytë më i madh në botë, por në një deklaratë të një grupi piratësh, lexohej se sulmi ndaj “Tëitter” ishte ndërmarrë për shkak të mbështetjes që i ka bërë rrjeti një ligji, që nëse aprovohet do të lejojë autoritetet federale në SHBA që të monitorojnë historikun e çdo përdoruesi të internetit.

Gjatë mosfunksionimit të “Twitter”, ishte “Facebook” ai që përjetoi një rritje rekord të përdoruesve aktivë, shumë prej të cilëve ironizuan dhe bënë batuta të tjera rreth bllokimit.

Top Channel