Si të bëjmë një gjumë të rehatshëm

21/06/2012 19:00

Jemi mësuar me idenë se kur jemi fëmijë, gjumi të rrit dhe në rastin më të mirë, ne kalojmë 1/3 e jetës sonë në gjumë. Por nga ana tjetër, studimet tregojnë se mungesa e vazhdueshme e gjumit mund të të shkurtojë jetën.

Shkencëtarët thonë se gjatë gjumit ndërrojmë 10-15 pozicione në mënyrë të pavetëdijshme. Por, pozicioni më komod konsiderohet kur flemë në anën e majtë ose të djathtë.

Kur nuk flemë mirë, zgjohemi me dhimbje koke, pa humor, me dhimbje trupi apo sy të fryrë. Disa detaje, në pamje të parë të parëndësishme, bëjnë ndryshimin e madh duke shmangur pasojat e një gjumi të keq gjatë natës.

Specialistët keshillojnë se një darkë e lehtë dhe pa shumë karbohidrate është thelbësore për të mos pasur probleme në frymëmarrje gjatë gjumit. Kjo shmang edhe zhurmën e tmerrshme të gërhimave që në shumë raste u prish gjumin edhe pjesëtarëve të tjerë të familjes.

Zhurmat, drita dhe temperatura e dhomës duhet të jenë të përshtatshme dhe të pa ekzagjeruara në krijimin e atmosferës së duhur. Në rast se kemi vapë apo ftohtë, në rast se ka shumë zhurma apo dritë të fortë në dhomë, të gjitha këto shkaktojnë një zgjim të padëshiruar.

Formula për një gjumë të rehatsëm është dysheku dhe jastëku i duhur. Por, nëse mendoni se cilësia e çarçafëve të krevatit nuk është e rëndësishme, gaboni. Materialet e mira na krijojnë një gjëndje të mirë emocionale.

Dushi para gjumit, masazhi i kokës, i këmbëve dhe konsumimi i ujit na ndihmon të çlirohemi nga emocionet dhe streset e ditës.

Por gjithmonë duhet të mbajmë mend se nëse flemë orar pa orar, nuk kemi për të pasur ndonjëherë gjumë të mirë. Një gjumë i rregullt është kryesor për të fjetur mirë dhe për të pasur një gjumë të rehatshëm.

Top Channel