U prezantuan nëpërmjet fotove në Facebook dhe do të hidheshin në treg në stinën e vjeshtës. Të projektuara nga stilisti Jeremy Scott, atletet pritej të shndërroheshin në prodhimin simbol të Adidas për stinën e vjeshtës.

Por nuk rezultoi kështu. Atletet u cilësuan si krijim rracist, pikërisht për shkak të dezajnit të tyre. Atletet, një lloj i veçantë i Adidas, përmbanin në dy kahet dy “zinxhirë” ngjyrë portokalli që shërbenin për kapjen e rrethit që mbërthehej në kavilje. Pjesa tjetër e atleteve ruante format e prodhimeve tradicionale të kompanisë gjermane të prodhimit të atleteve.

Pjesa e zinxhirit u cilësua si rraciste nga shumë kritikë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, pasi sillnin në kujtesë të njëjta pranga që përdoreshin kundër skllevërve me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara në shekullin e XVIII dhe XIX.

Pas prezantimit në rrjetin social Facebook mbi 38 mijë persona “pëlqyen” modelin, por pak orë më vonë, mbi 2 mijë komente dhe mesazhe kundër Adidas kritikonin prodhimin duke thënë se “skllavëria nuk është modë” apo komente të tjera të tipi: “si do të ndjehej një hebre nëse atletet do të kishin kryqin e thyer”.

Polemikat “janë” apo “s’janë” një krijim rracist zgjatën disa ditë, deri në momentin kur vetë kompania e prodhimit të atleteve, në një komunikatë për mediat sqaron se pavarësisht qendrimit të saj për atletet, duke i cilësuar ato si aspak rraciste, vendos për t’u tërhequr nga hedhja e tyre në treg për të mos ofenduar askënd.

Top Channel