Shigjeta i shpon kokën tej për tej, shpëton gjallë

19/06/2012 20:55

I shpon tej për tej kokën shigjeta e dalë padashje nga një pushkë uji dhe shpëton gjallë. Kjo është ajo që mjekët amerikanë të spitalit Jackson Memorial e quajnë një mrekulli.

Yasser Lopez, 16 vjeç ishte viktimë e një incidenti të tmerrshëm. Shoku i tij, shkrep pushkën e ujit pa e ditur që ajo ishte e mbushur dhe shigjeta e lëshuar prej saj, ngulet pak mbi syrin e djathtë të 16-vjeçarit dhe del në anën e pasme të kokës.

Plaga ishte e llahtarshme, thonë mjekët amerikanë. 93 centimetër shigjetë kishte tejshpuar kokën e adoleshentit duke i dëmtuar rëndë hemisferën e djathtë të trurit.

Mrekullisë së Zotit që e mbajti gjallë të riun, iu përgjigjen me një tjetër mrekulli edhe mjekët të cilët pas një operacioni që zgjati plot 3 orë mundën të hiqnin shigjetën e të izolonin plagën. Ata thonë se pacienti ka ende nevojë për operacione të tjera për t’i hequr pjesëzat metalike që mund të kenë mbetur në kokë.

Megjithatë, prova e vështirë për 16-vjeçarin u tejkalua. Ai u zgjua e foli normalisht, me ndryshimin e vetëm se nuk mbante mend asgjë. Mjekët druhen se mungesa e kujtesës mund të jetë pasojë e dëmtimit të trurit dhe nuk shprehen të sigurtë nëse do të mund të rikuperohet apo jo.

Në gjithë këtë fatkeqësi, kujtesa është “halli” më i vogël i mjekëve dhe familjarëve të 16-vjeçarit të cilët shprehen të lumtur që shigjeta nuk i ka prekur pjesën e majtë të trurit që do të kufizonte atë në të folur dhe me shumë gjasa edhe në ecje e veprime të tjera.

Skanimi pas operacionit të heqjes së shigjetës

Top Channel