U shfaq nga hiçi në qendër të Berlinit nëntë muaj më parë. Që atëherë,
policia përpiqet, por pa rezultat, të caktojë identitetin e vërtetë të
Ray, që njihet ndryshe si “djali nga pylli”.

Vetëm sot policia ka bërë publike fotot e para të tij, me shpresën se dikush do ta njohë kur ta shohë.

Djaloshi bjond, i gjatë rreth 1 metër e 80, i veshur me T-shirt, thotë se ka lindur më 20 qershor 1994 dhe se ka kaluar pesë vitet e fundit në pyll së bashku me të atin, derisa ky i fundit vdiq.

Agjentëve ai u ka treguar se nuk di më asgjë për origjinën e tij. Për të kaluarën e tij, djaloshi, që sipas policisë mund të jetë nga 16 në 22 vjeç, nuk mban mend asgjë.

Përveç faktit se e ëma, Doreen, ka vdekur pesë vjet më parë në një aksident rrugor kur ai ishte vetëm 12 vjeç dhe që atëherë ka jetuar me të atin në pyll.

Vetëm pas vdekjes së tij, të cilin Ray e ka varrosur nën një pirg gurësh, edhe pse nuk mban mend se ku, adoleshenti misterioz vendosi të kthehet në botën e qytetëruar.

Kur u paraqit për herë të parë në polici, djali kishte në qafë një zinxhir me dy pllaka të vogla ku ishin shkruar inicialet R dhe D dhe në kurriz mbante një çantë të markës finlandeze “Kaikkialla”.

Top Channel