Ish-ndihmësja: Assad, njeri i thjeshtë dhe i sjellshëm

14/06/2012 17:10

Ish-këshilltarja për mediat e Bashar al-Assad deklaroi se bëri atë që çdo vajzë perëndimore me ambicie do të kishte bërë, teksa ndihmoi diktatorin të ndërtonte fushatën e tij të propagandës në vend.

Sheherazad “Sherry” Jaafari u vendos në qendër të një skandali mediatik gjatë javës, pasi u zbulua se ajo ishte pranuar në universitetin amerikan të Kolumbias, falë edhe ndihmës së gazetarës së famshme amerikane, Barbara Ëalters.

22-vjeçarja theksoi se roli i saj në tre muajt e punës së saj në skuadrën mediatike të Assad është ekzagjeruar, por njëkohësisht mbrojti bashkëpunimin e saj, duke thënë se çdo njeri me ambicie do të kishte vepruar në të njëjtën mënyrë.

”Çdo vajzë ambicioze amerikane do të kishte bërë të njëjtën gjë si unë. Më erdhi një ofertë interesante për të punuar në vendin tim të origjinës dhe pranova. Nuk dua të shndërrohem në një kokë turku. Unë jam një vajzë e thjeshtë dhe nuk dua të paguaj çmimin vetëm sepse babai im është ambasador i Sirisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”.

Në intervistën e saj për një revistë amerikane, 22-vjeçarja zbuloi edhe se sa i sjellshëm ishte Assad me stafin e tij. “Unë isha pjesë e stafit mediatik të Assad. Ai sillej në mënyrë shumë njerëzore dhe miqësore me ne. Ishte e zakonshme që të ndalej dhe të na pyeste për problemet apo jetën tonë personale, duke treguar mirësjellje dhe thjeshtësi”.

Ndërsa disa organizata aktiviste anti-Assad protestuan kundër vendimit të universitetit të Kolumbias për të pranuar Jafaarin, rektorati i shkollës informoi se përzgjedhja e së resë është realizuar duke u përqendruar eksluzivisht në notat dhe kualifikimet e saj.

Gjatë intervistës, Jafaari refuzoi të jepte një mendim rreth përgjegjësisë për luftën civile që po ndodh në Siri, në të njëjtën kohë që përgënjeshtroi pretendimet e ngritura nga një tjetër anëtare e stafit të Assad, e larguar nga vendi, që foli se 22-vjeçarja dhe diktatori ishin të përfshirë në një marrëdhënie dashurore midis tyre.

Top Channel