Akrobati sfidon ujëvarën e Niagarës

14/06/2012 17:40

Një akrobat, Nik Wallenda, do të realizojë ditën e premte një prej sfidave të pakta që kanë mbetur pa realizuar kundër natyrës, duke çuar veten në ekstrem, në një udhëtim të rrallë nga SHBA në Kanada.

Në fakt, ai ka zgjedhur që të kryejë kalimin midis dy shteteve pikërisht në kanionin e përshkruar nga lumi që rrjedh prej ujëvarës së Niagarës.

Në një kabëll të tendosur çeliku, me gjerësi prej vetëm tre centimetra, Wallenda do të kryejë rreth 500 metra rrugë, që pritet të ndiqet në ankth nga më shumë se 100 mijë persona.

Kjo është hera e parë që një akrobat do të përpiqet të kalojë nga njëra anë e kanionit në tjetrën në pikën më të gjerë dhe të vështirë të tij, në një lartësi rreth 80 metra mbi ujrat ku përplaset furishëm ujëvara e Niagarës.

Sipas parashikimeve, akrobatit do t’i duhen 40 minuta për të mbërritur nga njëra anë e litarit në tjetrën, kohë gjatë së cilës do të sfidohet nga erërat e forta dhe nëse do të jetë i pafat, edhe nga sulmet e fajkonjve që
popullojnë zonën.

Aktualisht, Wallenda është mbajtës i gjashtë rekodeve “Guinness” për akrobacitë e tij të çmendura. Ai rrjedh prej një familje akrobatësh, tre anëtarë të së cilës kanë vdekur pikërisht në tentativë për të përmbushur misione të “pamundura”.

Top Channel