“Nokia” do shkurtojë 10 mijë vende pune

14/06/2012 00:00

“Nokia” ka ndërmend të shkurtojë 10 mijë vende të tjera pune brenda
vitit 2013 dhe të mbyllë disa fabrika prodhuese, në përpjekje për të
ulur shpenzimet dhe për të kursyer 3 miliardë euro.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë kompania finlandeze, që përmes një komunikate për shtyp konfirmon shitjen e divizionit të celularëve luksozë “Vertu”, tek kompania suedeze “EQT Partners”.

Kompania do të mbyllë disa fabrika në Finlandë, në Gjermani dhe në Kanada, nënvizohet ndër të tjera në komunikatën për shtyp dërguar mediave.

Në muajt e kaluar “Nokia” u rrëzua nga froni i prodhuesit të parë të celularëve në botë nga “Samsung”, për herë të parë pas 14 vjetësh. Në bursën e Helsinkit titulli i kompanisë ka rënë duke humbur të paktën 10 për qind.

Administratori i grupit, Stephen Elop ka ndërmend të ristrukturojë ndërmarrjen për t’i bërë ballë konkurrencës së ashpër të “Samsung” dhe “Apple”.

Top Channel