Beteja urbane e huliganëve, Polonia nën akuzë

13/06/2012 17:00

UEFA dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë fajësuan ditën e mërkurë Qeverinë Polake për lejimin e një marshimi prej 5 mijë tifozësh rusë, në ditën e pavarësisë së Rusisë nga Bashkimi Sovjetik.

Festa kombëtare dhe marshimi i rusëve në kryeqytetin Varshavë u shndërrua në një betejë urbane, në të cilën dhjetera huliganë u plagosën, duke vendosur të gjithë kryeqytetin në ankth për orë të tëra.

Provokimet vazhduan gjatë ndeshjes, me rusët që shfaqën një parrullë të madhe ku lexohej “Jemi në Rusi” dhe pas saj, ku përballje të tjera u regjistruan, ndonëse rrugët ishin blinduar me më shumë se 10 mijë forca sigurie.

Në total, të paktën 24 persona mbetën të plagosur dhe u trajtuan në spitalet e Varshavës, ndërsa 184 persona, midis të cilëve një dyzinë rusë, u prangosën nga forcat e rendit.

Zënkat u motivuan nga rivaliteti dhe urrejtja historike midis dy shteteve të Europës Lindore.

Rusia mbajti të pushtuar Poloninë për më shumë se një shekull (1795-1918), ndërsa nënshkroi një marrëveshje që e ndau vendin në dy pjesë me Gjermaninë Hitleriane, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Polonia u shndërrua në një “satelit” të Bashkimit Sovjetik gjatë epokës së komunizmit, duke hapur plagë të reja, prezente në kujtesën e shumë polakëve.

Një parti konservatore në opozitë dënoi marshimin e rusëve si një provokim, por ai ishte aprovuar prej autoriteve dhe nisi të mbahej nga ora 17:00, kur disa huliganë polakë sulmuan ultrasit e ardhur nga Rusia.

Mediat vendase kishin shprehur më parë një shqetësim të thellë rreth sigurisë, me të përditshmen “Rzeczpospolita”, që pyeste në faqen e saj të parë: “Marshim apo betejë urbane?”.

Dita kombëtare e Rusisë shënon deklarimin e pavarësisë së Federatës Ruse nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1990, një hap kyç drejt rrëzimit të vetë BRSS-së. Kjo ditë festohet në Rusi për shkak se ajo është thelbësore në procesin e shtetformimit, duke qenë se në të u vendos himni kombëtar, u shpall integriteti i shtetit rus dhe kushtetuta e re.

Ajo që mbetet e paqartë është se përse autoritet polake lejuan që ky marshim, ndonëse me rrezik shumë të lartë përballjesh, të lejohej të ndodhte.

Megjithatë, Varshava zyrtare u përgjigj se mbajtja e një manifestimi në ditën e tyre të pavarësisë ishte një e drejtë legjitime e “turistëve” rusë. Ministri i Brendshëm, Jacek Cichocki specifikoi se “me mijëra policë u vendosën në zonat më të nxehta për të ruajtur qetësinë, përfshi 2 mijë policë të specializuar për betejat urbane dhe përballimin e demonstratave”.

Gaz lotsjellës dhe zjarrëfikëse me ujë për shpërndarjen e turmave gjithashtu u përdorën.

Ministri shtoi se shpreson që drejtësia do të marrë masa të ashpra ndaj të gjithë huliganëve, ndërsa tha se shtetasit rusë do të riatdhesohen dhe do të pengohen të hyjnë në zonën Schengen për shumë vjet.

Megjithatë, ky reagim i shtetit polak nuk është ndarë edhe nga Rusia, që nëpërmjet ambasadës në Varshavë fajësoi Poloninë për mosgarantimin e sigurisë së shtetasve të saj në vend. Në një komunikatë, UEFA kërkoi që të merren të gjitha masat që episode të tilla të trishta huliganizmi të mos përsëriten më.

Gjatë ndeshjeve që përfundoi në barazim 1-1, himni i Rusisë u vërshëllye në masë nga ana e polakëve mbizotërues në stadium.

Ndërkohë, UEFA ka gjobitur me 120 mijë euro dhe -6 pikë në eliminatoret për EURO2016 Rusinë për shkak të trazirave që shkaktuan në tifozët huliganë në ndeshjen kundër Republikës Çeke të fituar nga Rusia me rezultatin 4-1.

Dhuna shpërtheu kur dhjetra tifozë rusë iu vërsulën punonjësve të sigurisë në stadiumin e qytetit Vroclav të Polonisë. Për pasojë 3 prej punonjësve të sigurisë u lënduan nga përleshjet dhe u detyruan të marrin kurim në spital.

Top Channel