Kultura e repit në Shqipëri

12/06/2012 19:45

Kur je adoleshent bën zgjedhjet e para për veten tënde. Një histori shumë e dhimbshme erdhi në ‘Pasdite në Top Channel’: pasoja e një tragjedie të ndodhur dy vite më parë, një sherri mes bandash që kryesoheshin nga këngëtarë repi gjatë të cilit Denisi, atëherë 18 vjeç u plagos me 15 thika.

Sherri bëri bujë në media por nuk mbeti aty. Këngëtarët që kryesojnë këto banda vazhdojnë të bëjnë këngë të reja, jeta ka vazhduar për ta, por për Denisin asgjë nuk është si më parë. Shkaku: ishte mbështetës i Stresit.

“E dija që pëlqente këtë rrymë, por nuk e dija që ishte kaq i përfshirë. Nuk dija që bënte sherre për këto punë”, thotë nëna e ftuar në studio, e cila akuzoi se faji i gjendjes së të birit është krejtësisht i Stresit.

“Stresi nuk ka ardhur për ta parë kurrë Denisin edhe pse prej tij është në krevat dhe ne po vuajmë. Është faji i Stresit i tëri!”

Nga ana e tij Stresi, deklaroi: “Ngjarja e Denisit i ka prekur të gjithë. Ndjehemi fajtorë. Denisin e kisha si vëlla, por adoleshenca, sedra dhe shoqëria e tepërt bëjnë që të nisë sherri. Nuk di si ta shpjegoj sepse njerëzit që nuk e përjetojnë nuk e kuptojnë dot.”

Stresi mbroi edhe fansat e tij që janë të gatshëm t’i “afrohen edhe plumbit” për një fjalë goje, pas shfaqjes së një videoje të një djali 15-vjeçar që e konsideronte atë “mbret”: “Ai është një djalë shumë i mirë dhe unë i jap këshilla, ajo që u pa në video nuk tregon atë që ai është në të vërtetë.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA