Apple hidhet edhe në tregun e televizorëve

30/05/2012 13:45

Pas revolucionit në fushën e celularëve, “Apple” synon të pushtojë një tjetër fushë; atë të prodhimit të televizorëve.

Këtë të paktën la të kuptohej kreu i “Mollës”, Tim Cook gjatë takimit kushtuar teknologjisë së informacionit dhe komunikimit “D: All Things Digital”.

E menjëherë pas kësaj deklarate, në mediat amerikane përflitet për markën “Apple” të televizorave. Shumë flasin për hyrjen në treg me një prodhim tërësisht origjinal, të tjerë për marrjen e patentës nga kompania gjermane e prodhimit të televizorëve, “Loewe”. E para apo e dyta? Duhet pritur.

Ndërkohë, kreu i “Apple” pasi nënvizoi se kompania po ecën në gjurmët e themeluesit të saj, Steve Jobs, kërkoi më shumë vëmendje kundrejt punonjësve të kompanisë në Kinë, ku disa herë “Apple” është kritikuar për oraret e tejzgjatura në punë që shkaktojnë depresion tek punonjësit, depresion që shpesh ka cuar deri në vetëvrasje të tyre.

Së fundmi përflitet që gjiganti i rrjeteve sociale, Facebook pritet të dalë në treg me një telefon, “i aftë dhe i vetmi” që do të konkurojë denjësisht iPhone-n e “Apple”. Pavarësisht këtyre zërave, Tim Cook deklaroi se mes dy kompanive ekziston një marrëdhënie e ngushtë bashkëpunimi, marrëdhënie “si mes dy personave që ndajnë të njëjtin vizion”, përcaktoi ai.

“Me Facebook mund të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme. Marrëdhënia jonë është ajo e dy personave që ndajnë shumë pikëpamje të përbashkëta, prandaj bashkëpunimi ynë mbetet e do të thellohet më tej”, tha Cook. 

Top Channel