Euro2012, një derr në vend të oktapodit Paul

19/05/2012 18:50

Kush ka ndjekur kampionatin botëror të futbollit në Afrikën e Jugut në vitin 2010, me siguri i kujtohet edhe oktapodi Paul, orakulli që parashikoi të gjitha ndeshjet e kombëtares gjermane, deri edhe humbjen që e eleminoi nga ky kompeticion, atë ndaj Spanjës.

Tashmë të gjithë projektorët janë drejtuar nga Polonia dhe Ukraina, ku për pak javë do të nisë kampionati europian i futbollit, ai që do të kurorëzojë kombëtaren kampione të “Kontinentit të Vjetër”.

Në Kiev përgatitjet finale janë drejt fundit për të patur një kampionat të suksesshëm, si nga ana organizative, por edhe nga ajo rezultative për kombëtaren ukrainase. Për këtë është menduar cdo detaj, madje edhe duke vendosur orakullin special, ai që do të kryejë të njëjtin funksion si oktapodi Paul në botërorin e 2010…një derr.

Në një komunikatë, autoritetet lokale në Kiev, deklaruan se “bëhet fjalë për një derr autentik ukrainas, profet dhe njohës i shkëlqyer i futbollit”. Derri, “i vetmi në llojin e tij, do të zhvendoset cdo ditë në orën 16:00 (me orën lokale) në qendër të kryeqytetit për të parashikuar rezultatin e ndeshjeve”.

Megjithatë, nëse orakulli Paul parashikoi të gjitha ndeshjet e kombëtares gjermane në botëror duke zgjedhur ushqimin e tij të vendosur në dy flamuj brenda një akuariumi, njëri gjerman dhe tjetri i skuadrës kundërshtare, për orakullin “derr ukrainas” nuk përcaktohet se si do t’i parashikojë rezultatet e takimeve.

Top Channel