“Sherr” në Kongresin Amerikan…për një picë

18/05/2012 00:00

Obeziteti është një problem që prek shumë nga familjet amerikane. E për këtë Kongresi amerikan, ka nisur luftën e hapur ndaj tij duke edukuar brezat e rinj me ushqim sa më të shëndetshëm, me sa më pak kalori e sa më shumë vitamina.

Për këtë në mencat e shumë shkollave amerikane është një “listë e zezë” e ushqimeve që nuk duhet t’u serviren nxënësve, që nga ushqimet e shpejta e deri tek llojet e tjera të brumërave, shkaktarët kryesorë të obezitetit.

Por në këto kohë globalizmi, kuzhina është shndërruar në art më vete. Si në shumë vende të tjera, edhe në SHBA ka hyrë prej vitesh pica alla-italiane. Nëse do të përmendnim llojet e picave, do na duhej shumë kohë, por ndalemi tek ajo që këtu tek ne quhet “pica margarita”, me domate e perime të tjera.

Pjesa e perimeve mbi brumin e picave është bërë “molla e sherrit” në Kongresin Amerikan. Kongresistët janë ndarë në dy grupe, grupi i parë mbështet vendosjen e picës në listën e ushqimeve të shëndetëshme në mencat e shkollave amerikane, nisur nga perimet që përmban, ndërsa grupi i dytë kërkon vendosjen e saj në listën e zezë, për shkak të brumit. Por cfarë është pica? Perim apo brum? Për të marrë një përgjigje nga Kongresi, amerikanët duhet të presin përfundimin e betejës së argumentave mes dy grupeve rivale.

Nëse fiton grupi i parë, pica margarita do të shërbehet për nxënësit amerikanë, nëse jo, atëherë do të vazhdojë ushqimi i shëndetshëm, me sallatë jeshile e ushqime të tjera vegjetariane, përvec picës.

Top Channel