Njeriu pa gjymtyrë që përshkon botën me not

17/05/2012 17:00

Një francez që ka humbur të katërta gjymtyrët e tij në një aksident të ndodhur pothuajse dy dekada më parë ka nisur të përmbushë një sfidë të pabesueshme, atë të notimit midis pesë kontinenteve.

Philipe Croizon nisi aventurën e tij ditën e enjte duke notur nga Papua Guinea e Re në Indonezi, një distancë prej 20 kilometrash, shoqëruar nga notar i distancave të gjata, Arnaud Chassery dhe një vendas që u solidarizua me garën e tyre.

Croizon, i cili përdor protesta plastike, të projektuara në atë mënyrë që të bëjnë më të lehtë notimin, përshkoi distancën në shtatë orë e gjysmë.

Ai humbi të katërta gjymtyrët si rrjedhojë e frakturave të shumëfishta pasi ra nga çatia e banesës së tij, ku ishte ngjitur për të rregulluar antetën e televizorit.

Ndërsa po rregullonte antenën, një rrymë elektrine prej 20 mijë voltësh iu shkarkua në trup, duke i pushuar zemrën, por një tjetër rrymë e dytë në rënien nga çatia riktheu zemrën e tij në funksionim.

Në impaktin me tokën ai kishte pësuar djegie të rënda dhe fraktura të panumërta, por arriti që kundër të gjitha gjasave të mbijetonte.

”Ishte shumë shumë e vështirë”, deklaroi i gjymtuari në mbërritje në Indonezi. “Prisja ta përshkruaja distancën në gjashtë orë, por na u desh një orë e gjysmë shtesë, pasi nuk i kisha parashikuar rrymat e fuqishme kundër”, tha Croizon.

Aventura e tij duhet të kishte nisur që në fillim të javës, por u detyrua të qëndronte disa ditë shtesë në Papua, në pritje të marrjes së vizës indoneziane.

Në vitin 2010, ai u shndërruar në njeriun e parë pa gjymturë që arrinte të kalonte kanalin 34 kilometra midis Francës dhe Anglisë, diçka që në të gjithë historinë kanë arritur ta realizojnë vetëm 900 persona, shumica e të cilëve notarë të zgjedhur.

Së shpejti, Croizon do të notojë në Gjirin e Akabës në Jordani, në brigjet egjiptiane në qershor, përpara se në korrik të përshkrojë distancën nga Gjibraltari në Marok.

Në gusht, i gjymtuari do të mbyllë turin e tij të pabesueshëm, duke notuar në ngushticën e Beringut, atë që lidh Alaskën me Rusinë.

Top Channel