Gerta e Dritani jashtë shtëpisë

13/05/2012 08:15

Dy banorë u larguan nga “Big Brother”, duke e çuar në gjashtë numrin e konkurrentëve të mbetur në lojë dy javë përpara finales.

Të eliminuarit e së shtunës, me vendim të publikut ishin Dritani dhe Gerta. “Mendoj se për të qëndruar më gjatë brenda shtëpisë duhet të isha treguar më agresiv, t’i vija gabimet e banorëve të tjerë më në dukje dhe jo siç e bëja, që kur shihja gabime ua bëja të ditur me mimikë apo me mënyra të tjera që të mos të dukeshin”, deklaroi Dritani në daljen e tij nga shtëpia më e famshme në Shqipëri.

I pyetur se cili do të dëshironte të fitonte garën e mbetur, Dritani u shpreh: “Shpresoj tek Liami. Besoj se është personi me më shumë shanse për sukses brenda shtëpisë”.

Nga ana e saj, Gerta, në reagimin e parë pas largimit nga ëndrra e fitimit të 100 milionëve, tha: “Mendoj se kam arritur 50% sukses në pjesëmarrjen time në “Big Brother”. Doja të ecja përpara me lojë, e cila ishte mëse e dukshme dhe 50% isha vetja ime, por më ngeli një 50% më shumë pa dhënë, pasi atje brenda ndikohesh dhe i merr gjërat më personale. Nuk e di nëse është keqkuptuar kjo lojë apo strategji e imja nga publiku, përderisa më nxorrën edhe jashtë. Suksesin përfundimar e meriton Liami, i cili ka dhënë shumë, ndonëse edhe Ermali më pëlqen si djalë, si një 24-vjeçar, por që ka më pak eksperincë për disa gjëra në krahasim me Liamin”.

Pas zgjedhjes së rastësishme të banorëve të njërit prej tre zarfave që përmbanin vendime të ndryshme të “Big Brother”, të kandiduarit për eliminim të shtunën e ardhshme u përcaktuan prej nominimeve dhe publikut.

Ky i fundit, me mesazhe telefonike, dërgoi në kandidim Erjonin, ndërsa Genta dhe Françeska shkuan edhe ato në nominim, me numër të barabartë votash.

Top Channel