Teatri Kombëtar në Londër me “Henri VI”

07/05/2012 19:15

Teatri Kombëtar Shqiptar debuton në ‘Globus Theater’ në Londër në Festivalin Botëror të Shekspirit, në kuadër të Lojërave Olimpike 2012, përkrah 37 trupave artistike nga 37 vende të botës.

Aktori Bujar Asqeriu interpreton rolin e Xhek Kejdit, udhëheqës i rebelimit që tenton t’i rrëmbejë mbretit Henri VI kurorën. Cfarë do të thotë për Teatrin Kombëtar në vecanti dhe për gjithë teatrin shqiptar në përgjithësi kjo pjesëmarrje? Kësaj pyetje dhe detaje nga shfaqja ofroi në emisionin e Pasdites vetë aktori Bujar Asqeriu.

“Për Teatrin Kombëtar kjo është një ngjarje e madhe artistike, por jo vetëm për Teatrin Kombëtar. Kjo është një ngjarje e madhe për gjithë teatrin shqiptar që përfaqësohemi në Londër me një vepër të gjigantit më të madh të teatrit botëror, Shekspirit me pjesën e dytë të Henri VI. Ngjarje të tilla janë kulmore në rrjedhën artistike të individit, aktorëve, janë ngjarje artistike të një vendi që merr pjesë në këtë. Jo të gjitha trupat artistike e patën këtë fat dhe ne duhet të jemi shumë krenarë. Në pamje të parë duket një pjesëmarrje e rëndomtë, por jo. Jo të gjitha trupat teatrore kanë nderin të marrin pjesë në teatrin Globus dhe ne po marrim pjesë me Shekspirin. Shekspiri ka eksploruar njeriun në të gjitha qelizat e tij. E gjithë puna jonë do të jetë shumë serioze në teatrin ‘Globus’ në Londër”, thotë aktori Bujar Asqeriu,  

Në kastin e aktorëve ka edhe aktorë të rinj. Indrit Çobanit i është besuar roli kryesor, ai i mbretit Henri I VI. Vetë Indriti tregon se si e priti këtë kur i propozuan rolin:

“Çdo rol është mbresëlënës, por me Henrin e VI ishte një marrëdhënie ndryshe, dhënie dhe marrje me shumë dashuri. Raporti që aktori krijon me personazhin është i pangjashëm me jetën tonë të përditëshme, shpirti, mëndja trupi. Jam ndjerë shumë mirë në raport me Henrin VI”, shprehet aktori  Çobani.

Më tej ai ka folur për personazhin e tij, ka zbuluar disa detaje të tij për publikun e Pasdites, duke veçuar 3 kontradiktat: “Henri i VI ka qenë një mbret kontradiktor. Tre janë kontradiktat kryesore të tij; e para pushteti i madh dhe pamundësia për ta manaxhuar atë; e dyta ishte një mbret i lexuar, me përgatitje mjaft të madhe me librin, Kembrixhi sot starton me Henri VI, dhe pamundësisë së tij për të shfaqur forcën e mendimit; kontradikta  e tretë është një mbret shumë paqësor, i lidhur shumë me Zotin, megjithatë gjatë mbretërimit të tij, ishte periudha më e përgjakëshme për Anglinë”.

Top Channel