Firence, Rama takim me Matteo Renzi

04/05/2012 19:45

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ndodhet në Itali, ku është takuar me kryetarin e bashkisë së qytetit të Firences, me të cilin ka ndarë programin e së majtës shqiptare për Shqipërinë.

“Ishte një takim jashtëzakonisht i kënaqshëm. Folëm si dy miq të vjetër, edhe pse jemi të rinj, pasi bashkëpunimi Tiranë-Firence ka lënë gjurmët e veta”, ka deklaruar Rama pas takimit.

“Ne prezantuam planet për të ndërtuar një të majtë të re evropiane dhe për ta nxjerrë Shqipërinë nga vështirësitë ku ndodhet sot. Programet tona janë të përafërta”, ka shtuar kreu i PS.

“Jam i lumtur që po pres Ramën me të cilin Firence ka bashkëpunuar kur ai ishte qytetari i parë i kryeqytetit. Besoj se Rama mund të përfaqësojë të ardhmen e së majtës shqiptare dhe që mund të japë një kontribut edhe për forcat progresive europiane. Ajo që shpresojmë është që të gjejmë format që qyteti ynë të mund të bashkëpunojë me Shqipërinë”, tha Renzi.

Kryetari i bashkisë së Fierences, Matteo Renzi ka folur me tone kritike ndaj partisë Lega Nord, pas zbulimit të skandalit për diplomën e rremë shqiptare të të birit të Umberto Bossi-t.

“Unë besoj se Lega Nord në Itali po del me fytyrën më të trishtuar dhe të shëmtuar. Me Umberto Bossi-n ndodhi ajo që ka thënë e bërë ai në këto muaj, marrje parash e diamantesh”, ka thënë Renzi, i cili më pas e ka vënë theksin tek i biri i liderit të Lega Nord.

“Renzo Bossi ka bërë tre herë provimin e maturës sepse nuk e merrte dot, pastaj ka marrë një diplomë falso në Tiranë. Kjo është shumë e shëmtuar. Dy vendet duhet të evitojnë të japin dëftesa falso. Po të mos kishte njerëz si Renzo Bossi, do të ishte më mirë”, ka shtuar kryebashkiaku i qytetit të rilindjes.

Gjatë qëndrimit në Firence, Rama u takua edhe me emigrantët shqiptarë.

“Do të ndihesha shumë i kënaqur që pas katër vjetësh të kishim një administratë publike që të ngjante më shumë ju se me Saliun. Pasi pas katër vjetësh do të thoshim me krenari që në administratën tonë publike drejtojnë njerëz që kanë studiuar jashtë shetit dhe kanë ardhur të shërbejnë për vendin e tyre”, tha Rama.
 

Top Channel