Kuvendi i Shqipërisë, seancë për Holokaustin

02/05/2012 19:25

Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur një seancë të posaçme për Holokaustin, që është cilësuar si një nga ngjarjet më të rënda në historinë e njerëzimit.

Kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij përpara deputetëve të Kuvendit u shpreh se, Holokausti është akti më barbar në memorien e qytetërimit.

“Diktaturat janë të këqijat më të mëdha të kësaj toke. Holokausti s’do kishte këto përmasa nëse s’do haste në indiferencë. Holokausti pati mbi gjashtë milionë viktima. Shprehim nderimin tonë për viktimat dhe ata që mbrojtën hebrenjtë”, deklaroi Berisha.

Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, kryeministri u ndal tek muzeu i Holokaustit, ku foli për rolin e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Para fjalës së kryeministrit ishte kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli që kujtoi veprimtarinë e shqiptarëve për të shpëtuar hebrejtë gjatë shfarrosjes nga nazistët.

“Shqiptarët nuk dorëzuan asnjë hebre, pavarësisht rrezikut. Pak i njohin sakrificat që kanë bërë shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore për hebrenjtë”, tha Topalli.

Top Channel