Grandiola: Nuk u përshtata asnjëherë në “Big Brother”

30/04/2012 20:10

Ashtu siç është bërë e zakonshme çdo të hënë, studion e “Pasdites” e vizitoi e eliminuara e fundit nga “Big Brother”, Grandiola, e cila tregoi për përvojën e saj brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri dhe u ndal në detaje të shumta të jetës së saj private.

E përballur edhe me gazetarin Flavio Qarri, të vendosur në rolin e analistit, Ola e justifikoi qëndrimin e saj të shkurtër brenda me paaftësinë për t’u përfshirë në biseda dhe për të treguar atë që është me të vërtetë.

“Surpriza më e bukur që përjetova në daljen nga shtëpia ishte prezenca e mamasë në studio. Ajo, ashtu si shumë të tjerë më kritikoi sepse qëndrova shumë e mbyllur, por kjo ishte edhe kritika e vetme që më kanë bërë rreth përvojë sime në “Big Brother”. Mendoj se është pikërisht kjo ajo që më penalizoi, heshjta ime në shtëpi. Nuk e bëra me qëllim, por momenti kur hyra mbase ishte tepër vonë dhe unë e nisja nga zero. Është e vërtetë që edhe dy persona të tjerë e nisën si unë dhe janë brenda shtëpisë, por mbase ata kanë dëshmuar se janë më të aftë se unë për t’u integruar. Thjesht e pata të pamundur. Mendoj se nëse do të isha future në fillim, ose të paktën disi më herët, do ta kisha patur më të lehtë”.

Në vijim të intervistës së saj, Grandiola befasoi duke thënë se ishin pikërisht ata persona që i ngjallnin simpati, ata që e zhgënjyen më shumë dhe se njerëzit që i ishin dukur antipatikë ndërsa ndiqte “Big Brother” nga jashtë, u bënë miqtë e saj më të mirë.

“Kishte disa persona që kisha antipati (nënkupton Gracianon), por kur hyra brenda pashë që e sulmonin pesë të tjerë”. i akuzuar nga Qarri për paaftësi për të luajtur, Grandiola u shpreh. “Unë e gjeta motivin përse më sulmonin, u akuzova që unë debatet i pres në mes, por nuk më pëlqen debati që nis në mëngjs dhe mbaron në darkë, për gjëra të parëndësishme në thelb”.

E pyetur për emra specifikë, vajza italo-shqiptare u ndal konkretisht tek Liami. “Unë e kam ndjekur Liamin. E kisha qejf jashtë atë djalë për mënyrën si luante, por brenda ishte komplet ndryshe. Luante me strategji, me metodën hidh gurin e fshi dorën dhe këto momente më bënë të ndryshoj mendim. Ai ka hyrë për 100 milionë dhe këtë e kuptoj, por objektivi është për të gjithë, por varet si e arrin.  Unë se bëj dot të jem aq e keqe apo intriguese, kur unë kam vlera të mira, përse duhet të zihem për cigare e bukë, pse duhet të ulëras?”.

Ndryshe nga Liami, Graciano i dha Grandiolës një përshtypje krejtësisht të kundërt, nga një njeri antipatik jashtë, në një mik të mirë brenda. “Graciano nga brenda më pëlqeu. Më tregoi historinë e tij, e pashë që shumë nuk e donin brenda, e ngacmonin në gjëra delikate, por ai mbante deri pesë persona. Mos harroni që është vetëm 19 vjeç dhe nuk e prishte fjalorin, gjithcka e thonte në fytyrë, ndoshta jashtë duket se flet shumë e mund të ketë shumë epitete, por brenda ishte i admirueshëm”.

Franceska e Ermali ishin një tjetër temë debati. “E dija që ishin lidhur që jashtë dhe mendova se ishin lidhur për lojë, por brenda nuk ishte ashtu. Jashtë dukej sikur ishin lidhur për lojë, por brenda dukej ndryshe, sepse të dy bënin lojën e tyre dhe i thonin njëri-tjetrit gabimet e tyre. Duket sikur kanë me të vërtetë diçka midis tyre”.

Pasi rrëfeu emocionet e saj të forta dhe u shpreh se pjesëmarrja në “Big Brother” ka qenë prej kohësh një ëndërr e saj, Grandiola zbuloi edhe historitë e saj të rralla personale. “Gjyshi im është italian nga Napoli. Erdhi në kohë të luftës, ku njohi gjyshen 14 vjeç nga Shkodra. Në këtë histori dashurie lindën shtatë vajza, deri sa ndaloi se kuptoi që s’kishte shanse për çuna. Mamaja rritet, njeh babain tim dhe nga dashuria e tyre linda unë e vëllai. Në 1991-92, nëpërmjet ambasadës, ajo na dërgon një letër ku fëmijët e italianëve që kishin mbetur në atë periudhë mund të ktheheshin në vendin e origjinës, unë isha 13 vjeç dhe shkova në Itali, duke marrë shtetësinë që këtu”.

Prej kohësh, vëmendja e publikut ka qenë e përqendruar edhe tek marrëdhënia e saj 10-vjeçare me Daviden. “U njohëm në një bast, pasi shokët e tij i thanë që s’mund të më fitonte. Më pas, i ngeca në derë një dekadë”, batuta e Grandiolës, që shpjegoi se midis dy letrave që i ofruan në “Big”, një nga babai dhe një nga ish-I dashuri i saj, nuk u mendua asnjë sekondë për zgjedhjen e saj. “Babai është pika ime e dobët. Të dy prindërit janë, por babai veçanërisht pasi ka qenë edhe i sëmurë. Nuk pata as dyshimin më të vogël kur bëra zgjedhjen time”.

Nga ana e tij, Qarri komentoi se Grandiola kishte gabuar në mënyrën se si e konceptoi përvojën e saj në “Big Brother”, pasi sipas tij, “ajo që duhet të bësh në “Big Brother” është të luash. Nuk luajte. Qëndrove stoike, e mbyllur dhe ki parasysh se nuk ekziston një debat i kot atje brenda, publiku fiton mendim nga çdo detaj. Ti u ankove për cigaren, nuk është se është thelbësore, por publiku gjykon mënyrën se si banorët zgjidhnin konfliktet. Big është eksperiment sociologjik, ti bëhesh i famshëm dhe nëse fiton bëhesh edhe i pasur. E thënë shkurt, dështove në mundësinë që t’u dha”.

Top Channel