Në Tiranë iu dha lamtumira studiuesit, përkthyesit, publicistit dhe një prej veprimtarëve aktivë të shoqërisë civile, Ardian Klosit.

Në mjediset e Bibliotekës Kombëtare përgjatë dy orëve miq, kolegë, përfaqësues të politikës, medias, por edhe qytetarë të shumtë, dashamirës të krijimarisë së tij bënë homazhe pranë arkëmortit me trupin e pajetë.

Gjatë gjithë kohës së homazheve, qendroi edhe Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, miku i ngushtë i tij. 

Aurel Plasari: Shqisa e tij e humorit, e ironisë do t’i mungojë shoqërisë shqiptare, por njëkohësisht mendoj që brezi ynë ka bindjen e modelit që ai ka lënë, një model për t’u ndjekur edhe nga më të rinjtë.

Remzi Lani: Kam patur rastin të bashkëpunoj me Klosin për një kohë të gjatë. I përkasim një gjenerate dhe mendoj se ai është padyshim një nga përfaqësuesit më brilantë të kësaj gjenerate, është një njeri që do të mungojë shumë në këtë qytet, ka filluar të mungojë.

“Dani do të dalë nga biblioteka për të shkuar në shtëpinë e fundme në varrezat e Sharrës, ashtu siç vendosi vetë”, shkruante Rama në rrjetin social Twitter.

Këshilltarët e Presidentit Topi vendosën një kurorë me lule në emër të tij dhe i përcollën familjarëve ngushëllimet në emer të kreut të shtetit. Ndërkohë
Ministri Kulturës, Aldo Bumçi tha se Shqiperia “humbi një aktivist të palodhur dhe një prej zërave intelektualë”.

Në orën 14:00 arkëmorti me trupin e të ndjerit u përcoll  në varrezat e Sharrës, ku edhe do të prehet përgjithmonë.

Gazetarja Rudina Xhunga mbajti fjalën e lamtumirës para familjarëve dhe miqve që e përcollën Ardian Klosin në banesën e fundit.

Rudina Xhunga: Dani do donte që kaq shumë njerëz të ishin në njërën prej takimeve që ai ka patur për librin, apo në luftën kundër plehrave, apo në të gjithë luftrat që Dani bënte. Sot jemi për t’i thënë lamtumirën një njeriu që iku nga jeta e tij, por nuk ka ikur nga jeta jonë. Është në jetën time është në jetën tonë si dëshpërim, si frikë, si ankth, si mallkim, si urim, si premtim: Mos e lënçin këtë vend të na vrasë!

Ardian Klosi ishte publicist, shkrimtar, përkthyes dhe aktivist i shoqërisë civile. Klosi lindi në vitin 1957 dhe u diplomua në vitin 1981 në degën Gjuhë-Letërsi, në Universitetin e Tiranës.

Më pas, në vitin 1990 mbrojti me sukses studimet doktorale. Në 1993 ai u transferua ne Gjermani ku jetoi pesë vite. Atje Klosi u njoh me fotografen Jutta Benzenberg, e cila do të bëhej edhe bashkëshortja e tij. Nga kjo martesë Klosi pati dy vajza.

Pas 1998-s, Klosi u rikthye në atdhe, dhe nga ajo kohë u angazhua fuqishëm në aktivitetet e shoqërisë civile, në botën e letrave dhe të mendimit. Vitet e fundit të jetës publicisti Klosi u shfaq edhe si ambientalist. Ai dha një mbështetje të madhe kauzave të shoqërisë civile edhe sa i përket mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, ku veçojmë aktivizimin e Klosit kundër shembjes së Piramidës.

Veprimtaria e Ardian Klosit është e lidhur veçanërisht me librat. Krijimtaria e tij është shumë e pasur dhe midis librave të ndryshëm, veçohen “Refleksione” , “Shqipëria,  zgjim i dhunshëm”,  “Quo vadis Shqipëri” dhe “Shqipëria ç’mund të jetë”. Ai gjithashtu publikoi vepra në gjermanisht, si “Mbijetesë Shqiptare” dhe botoi fjalorin gjermanisht-shqip, në bashkëpunim me disa autorë të tjerë, në vitin 1997.

I paçmuar është kontributi i tij në fushën e përkthimit, ku ai ka sjellë perla të letërsisë botërore, sidomos asaj gjermane, me një mjeshtëri të përsosur. Në vitin 2008, me përkthimin e veprës “Skënderbeu”,  të studiuesit gjerman Oliver Jens Schmitt, Ardian Klosi solli një imazh të ri të Heroit Kombëtar dhe ngjalli shumë debate në opinionin publik.

Top Channel