Sarkozy, apel ekstremit të djathtë

23/04/2012 21:00

Presidenti francez, Nicolas Sarkozy po i bën thirrje votuesve të ekstremit të djathtë, pasi rivali i tij socialist arriti të fitonte në raundin e parë të zgjedhjeve.

Francois Hollande doli në krye me 28.6 për qind të votave, ndërsa Sarkozy 27.1 për qind, duke shënuar kështu herën e parë që një president në detyrë humb raundin e parë.

Në vend të tretë me një mbështetje të konsiderueshme u rendit Marine Le Pen, e cila mori plot 18 për qind të votave, më i larti që partia e saj Fronti Kombëtar ka fituar ndonjëherë.

Duke iu drejtuar votuesve të Le Pen, Sarkozy tha: “Unë ju kam dëgjuar. Ka pasur një krizë votash që u dyfishua nga njëra zgjedhje në tjetrën. Kësaj krizë i duhet dhënë një përgjigje”.

Në një fjalim për mbështetësit e tij në Tours, Sarkozy fajësoi “median e shfrenuar” për rezultatin e raundit të parë. “Ne po bënim fushatë kundër karikaturave dhe gënjeshtrave… dhe unë ju falenderoj për mbështetjen”, u shpreh Sarkozy.

Analistët thonë se tashmë duket qartë se zoti Hollande është favorit për të fituar edhe raundin e dytë që mbahet më 6 maj, një duel mes tij dhe zotit Sarkozy, që drejton qendrën e djathtë, UMP. Nëse zoti Hollande fiton, atëherë ai do të bëhet presidenti i parë socialist i Francës në 17 vitet e fundit.

Pas raundit të parë, një fushatë intensive elektorale ka nisur, me Sarkozy që ka udhëtuar në Tours, në qendrë të Francës, ndërsa Hollande në qytetet perëndimore Kimper dhe Lorient.

Duke folur përpara rreth 3 mijë mbështetësve të tij në Kimper, një nga bastionet e tij, zoti Hollande e përshkroi veten si kandidati i ndryshimit. Ai tha se dëshironte t’u fliste të gjithë francezëve, pa dallim të majtë apo të djathtë.

“Mesazhi im? Ne jemi një vend i madh dhe ne do ta marrim veten. Ne nuk kemi nevojë për ndarje”, u shpreh kandidati socialist, që ndryshe është cilësuar si kandidati modest dhe i qetë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA