Telashet financiare prekin edhe këngëtarin Prince i cili tani gjendet në një situatë kur i duhet t’i paguajë katër milionë dollarë një kompanie prodhuese të parfumeve.

Është “New Musical Express” që raporton se kompania “Revelations Perfume & Cosmetics” e ka paditur krijuesin e hitit “Purple Rain” pasi nuk e ka respektuar një marrëveshje mes tyre nga viti 2008 dhe gjyqin e hapur e ka fituar. Dëmshpërblimi që do të marrë është plot 4 milionë dollarë.

Në bazë të marrëveshjes mes tij dhe kompanisë së parfumeve, Prince ka qenë i detyruar që të promovojë parfumin e quajtur “3121” dhe gjatë koncerteve të tij, në sajë të së njëjtës marrëveshje, do duhej që të kujdesej për ndarjen e mostrave pa pagesë të parfumit.

Asgjë nga këto nuk ka ndodhur dhe kompania vendosi që këtë çështje ta çojë në dyert e gjykatës dhe vendimi ka qenë në favor të saj. Tani këngëtarit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të dëmshpërblejë kompaninë.

Top Channel