Premiera e filmit për jetën e Bob Marley

18/04/2012 00:00

Është një film për të cilin përflitet prej kohësh e tani radhën e pati premiera e tij. I pagëzuar thjesht “Marley”, filmi dokumentar është një udhëtim në jetën e legjendës së muzikës, Bob Marley.

Në premierën e tij qenë të pranishëm emra të njohur të botës së artit si Snoop Dogg, Jane Fonda dhe Kenny Chesney. Nuk mund të mungonte familja e tij në tapetin e kuq të premierës botërore të këtij dokumentari, djemtë e tij Ziggy, Robbie dhe Rohan ishin aty,  në premierën hollivudiane.

Aty qenë edhe protagonistët, aktorët Luke Wilson dhe Rosario Dawson ndërsa Kevin MacDonald, regjisori fitues i çmimit OSCAR i cili ka realizuar dokumentarin, nuk ishte në premierë.

Për Ziggy Marley-n, qëllimi ka qenë vetëm një: nëpërmjet këtij dokumentari të bëjë një apel për muzikën e tij e cila përcjell mesazhe për paqe. Nga tapeti i kuq Ziggy M deklaroi: “Unë kam qenë në Afrikë, në disa vende ku Bob ka qenë. Dekada më vonë ai nuk ishte aty, ama unë u mallëngjeva pasi muzika e tij ishte atje, në vendet që ai i kishte shkelur, një muzikë e cila jo vetëm frymëzonte, por edhe shërbente si mbështetje për lëvizjet në kërkim të lirisë në këto vende”.

Deri më tani ka pasur dhjetra realizime kinematografike dhe televizive të cilat kanë pasur në qendër jetën e Bob Marley-t, por asnjë prej tyre nuk ka pasur aprovimin e familjes së tij.

“Ne vendosëm të ishim pjesë e këtij dokumentari sepse menduam që ka ardhur koha t’i tregojmë botës diçka intime nga jeta e tij, atë që deri më tani askush nuk e ka ditur. Nuk donim që në filma babai ynë të shfaqej vetëm nëpërmjet opinioneve të njerëzve që nuk e kanë pasur as afër”, ka pohuar Robbie Marley, një ndër 11 fëmijët e legjendës Bob Marley.

Bob Marley është një ndër ata këngëtarë që me muzikën e tij ka influencuar e ka kërkuar një botë me më shumë paqe e dashuri. Muzika e tij ka qenë përherë për njerëzit, drejtuar atyre.

Filmi dokumentar “Marley”  do të nisë të shfaqet nëpër kinema prej 20 Prillit.

Top Channel