Meti: Mendoja se do të lidhesha brenda shtëpisë

16/04/2012 19:50

Konkurrenti i fundit që braktisi shtëpinë më të famshme në Shqipëri, Meti, u ndal gjerësisht në përvojën në “Big Brother” dhe në historitë e tij personale, në një intervistë të drejtëpërdrejtë në emisionin e “Pasdites”, në “Top-Channel”.

Ashtu siç është bërë tashmë traditë e çdo dite të hënë, përballë 23-vjeçarit nga Prishtina u vendos edhe gazetari Flavio Qarri, i vendosur në rolin e analistit.

Duke u ndalur në arsyet që e nxorrën nga shtëpia dhe në strategjinë që ai ndoqi gjatë garës, Meti u shpreh: “Në të vërtetë, nuk kam  menduar asnjëherë se mund të fitoja. Edhe në momentin që hyra, nuk mendova çmimin, pasi qëllimi i vetëm ishte të tregoja se kush jam, se çfarë kam kaluar dhe çfarë i aftë të bëj. Nuk kam bërë asnjë lloj strategjie, pasi nuk mendova që kështu mund të fitoja. Kam dashur të shoh se deri ku mund të mbërrija me forcat e mia dhe jam shumë krenar me veten që qëndrova mbi dy muaj në “Big Brother”.

Historia me femrat, brenda dhe jashtë shtëpisë, ishte një pikë kyçe e intervistës së Metit për “Pasdite” në “Top-Channel”. Pavarësisht mundësive që pati, 23-vjeçari vendosi që të mos krijonte lidhje brenda shtëpisë dhe këtë zgjedhje të tij e argumentoi: “Kur jam futur në shtëpi, në të vërtetë kam menduar që do të lidhesha. Isha i gatshëm ta bëja këtë nëse do të gjeja një vajzë që do të më tërhiqte me të vërtetë, por e vërteta është se nuk gjeta askënd që të përmbushte këto kritere. Nëse do të kisha vendosur të luaja dhe të bëja spektakël, atëherë me siguri që do të isha lidhur me dikë”.

Megjithatë, gjatë qëndrimit të tij 2-mujor në “Big Brother”, modeli dhe futbollisti kosovar pati një flirt të dukshëm me Anilën. “Me të ka patur diçka shoqërore”, këmbënguli Meti, pavarësisht transmetimit të imazheve të puthjeve dhe përkëdheljeve midis tyre. “Me kalimin e kohës, lidhja evoloi, por gjithmonë kemi qenë shokë dhe nuk kemi menduar për asgjë më shumë”.

Një temë shumë e nxehtë është shndërruar deklarata e tij në “Fan Club”, ku Meti deklaroi se nuk ka asnjë histori me një vajzë të quajtur Laura, ndonëse ajo i dedikoi një letër dashurie përpara daljes së tij nga shtëpia. I përballur edhe me akuzat e Flavios, që e konsideroi si një manipulues të publikut, nëpërmjet ndryshimit të vazhdueshëm të deklaratave të tij rreth kësaj marrëdhënie, Meti theksoi: “Është e vërtetë që unë dhe Laura kemi patur një histori, por kemi një vit që jemi ndarë dhe kemi mbetur vetëm miq. E vërteta është se kam folur për të në “Big Brother”, sepse kam folur për të shkuarën time, por kjo vajzë nuk është pjesë e së tashmes dhe as të ardhmes sime”.

Së fundmi, kosovari rrëfeu edhe 48 orët e tij që prej braktisjes së ëndrrës për të fituar 100 milionë lekë. “Shumë njerëz më kanë mirëpritur pas daljes dhe kjo më ka pëlqyer shumë. Ditën kur dola, shkova në një klab së bashku me miqtë dhe me ish-konkurrentët e “Big Brother”. Ndihem mirë për ato që kam arritur”.

Top Channel