11-vjeçarja që përfaqëson Shqipërinë në “Sanremo”

16/04/2012 19:00

“Dashuria na rrethon”. Kjo është kënga me të cilën Melissa Magnanelli do përfaqësojë Shqipërinë në festivalin ndërkombëtar, Sanremo Junior 2012.

Prej një muaji e gjysëm, kompozitori Klodian Qafoku po përgatit 11-vjeçaren, e cila shpreson që në këtë festival të rrëmbejë një çmim të rëndësishëm.

“Është një këngë ritmike, që ka në përbërje poezi shumë të bukur, e përkthyer dhe përshtatur nga babai i Melisës. Kënga është bërë shqip dhe në konkurrim është paraqitur në shqip. Shpresojmë që në festival ta këndojmë gjysëm shqip dhe gjysëm italisht. A lejohet? Festivali është i gjithi live, prandaj është në dorën e Melisës që të zgjedhë se si do ta këndojë. Duhet patur parasysh që Sanremo nuk është vetëm një festival kombëtar, pasi në të marrin pjesë përfaqësues nga shumë vende të botës. Është një festival ndërkombëtar. Një vit më parë, ka patur përfaqësues nga Korea e Jugut, Japonia dhe vende të tjera të botës”, shprehet Qafoku.

Megjithëse nuk është nxënëse në një shkollë muzike, çmimet e marra nëpër kompeticione të ndryshme e bëjnë Melisën të shpresojë për një sukses në “Sanremo Junior”. Vajza italo-shqiptare është përkushtuar në maksimum provave në pritje të datës 5 maj. ku do të ngjitet në skenën pjesë e së cilës kanë qenë artistë të mëdhenj të muzikës botërore.

“Kam patur shumë emocione. Në fakt, tek Sanremo dërguam një disk me këngën e incizuar. Unë u habita që më zgjodhën, sepse nga 600 fëmijë u futën vetëm 31 dhe unë isha njëra prej tyre, prandaj u emocionova shumë. Kur më mori babi dhe më tha që kisha fituar, gati sa nuk plasa nga gëzimi”, rrëfeu Melissa.

Top Channel