Ervin Bejleri përkrah yjeve të Hollivudit

13/04/2012 19:50

‘Sins Expiation’ është filmi nga regjisori italian Carlo Fusco ku përkrah një kasti hollivudian interpreton edhe aktori shqiptar Ervin Bejleri. Michael Madsen, Danny Glover dhe John Savage janë emrat e njohur të kinematografisë botërore që interpretojnë në këtë film me buxhet të ulët.

Bejleri, i cili është bërë i famshëm me rolet e tij në ‘Portokalli’ shprehet: “Unë kam qenë në javën e fundit të xhirimeve të filmit dhe fatkeqësisht nuk i kam takuar këta aktorë, por do i takoj kur të promovohet filmi.”

I ftuar në studion e ‘Pasdite në Top Channel’, së bashku me regjisorin italian Carlo Fusco, aktori shqiptar tregoi eksperiencën e tij: “Nuk kam folur me theks siçilian, por i falenderoj figurantët siçilianë që më ndihmonin me batutat. Në film bëj edhe një batutë në shqip.”

Ndërsa regjisori italian shtoi: “Është një histori surreale që flet për mafian, por jo vetëm. Ngjarjet ndodhin në Siçili. Një italo-amerikan kthehet në vendlindje dhe kërkon të marrë të gjithë tregun e kriminalitetit.”

“Nuk e njihja kinemanë shqiptare dhe nuk e dija në ishte i aftë apo jo Ervini. Mua më pëlqeu kur e pashë në aksion, ka pasion dhe nuk e them se jam këtu në Shqipëri. Aktorët italianë nuk e kanë më këtë pasion e prandaj zgjodha Ervinin”, thekson Fusco.

Në lidhje me afrimin e aktorëve hollivudianë, regjisori italian shpjegoi: “Gjithçka lindi një vit më parë në Festivalin e Kanës, aty njoha Danny Glover. Kur i ofrova një rol ai më kërkoi që të shikonte një film timin të mëparshëm. E pa dhe pranoi ofertën, por filmi nuk u realizua për mungesë fondesh atëherë. Kur erdhi një mundësi tjetër ai sërish pranoi. Glover ishte njeri i thjeshtë, që ka pasur vuajtjet e tij në fëmijëri dhe kishte humanitetin që shumë aktorë të tjerë nuk e kanë. Ai më pyeti nëse doja amerikanë të tjerë në film. Unë doja shumë, por nuk kishim buxhet. Gjithsesi ai i mbushi mendjen Michael Madsen-it e të tjerëve që të ishin pjesë e filmit tim.”

Në fund, regjisori italian bëri të ditur se ka një projekt tjetër në mendje dhe Ervin Bejleri do të jetë sërish pjesë e projektit.

‘Sins Expiation’ do të shfaqet së shpejti në kinematë Imperial dhe Bejleri theksoi se Danny Glover ose Michael Madsen me shumë mundësi do të vijnë në premierën e tij në Shqipëri.

Top Channel