Arqile Lipe rrëfen rikthimin në skenë

13/04/2012 19:30

Arqile Lipe, një nga emrat më të njohur të Estradës së Fierit, ishte i ftuar në emisionin ‘Pasdite në Top Channel’ për të folur për rikthimin e tij në Shqipëri. Aktori që u bë i famshëm me skeçin “Do martojmë Malon” vjen shumë rrallë në atdhe sepse ka vite që jeton në Greqi dhe është rikthyer për vënien në skenë të komedisë me titull “Jo vetëm shtrirë bëj diçka”.

“Është një komedi e viteve ‘70 dhe vihet në skenë nga regjisori Kiço Londo. Trajton problemet e korrupsionit dhe një nga rolet mu besua mua. E prita me kënaqësi këtë mundësi. Është komedi angleze dhe humori anglez ka tjetër specifikë. Gjithsesi mendoj se ia kemi arritur qëllimit për të sjellë diçka të bukur për publikun”, u shpreh Lipe.

“Jemi katër meshkuj dhe katër femra të brezave të ndryshëm që jemi gërshetuar shumë bukur nga Londo. Unë luaj rolin e një politikani opozitar që kërkon të nxjerrë skandalet e qeverisë në mediat angleze”, shton aktori fierak.

Më tej ai tregon edhe vështirësitë që ndeshen kur vihet në skenë një komedi e huaj: “Duhet që veshjet të jenë angleze, skena të sjellë atmosferën e Londrës etj., por mendoj se kemi sjellë diçka të mirë. Jam shumë i kënaqur me këtë rikthim.”

Komedinë “Jo vetëm shtrirë bëj diçka” mund ta ndiqni në Akademinë e Arteve në Tiranë, të premten dhe të shtunën në orën 20:00.

Top Channel