“Epidemi” e tumorit në vend

09/04/2012 00:00

Në një seancë dëgjimore në Komisionin Kuvendor të Shëndetësisë, shefi i pavionit të onkologjisë në QSUT, doktor Agim Sollaku dha alarmin e rritjes së numrit të pacientëve me 6 mijë raste çdo vit.

Zoti Sollaku ka kërkuar vëmendjen e deputetëve për problemet që hasin specialistët në trajtimin e të sëmurëve me kancer, ku më kryesori janë mungesat e theksuara të barnave dhe mungesa e onkologëve në spitalet rajonale.

Zv/ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahiu ka deklaruar se që nga viti 2005 e deri më sot është 5-fishuar buxheti për citostatikët, medikamentet bazë të trajtimit të pacientëve me tumor. Sipas tij, prioritet i ministrisë është fuqizimi i spitaleve rajonale me aparatura diagnostikuese bashkëkohore si mamografitë, skaneri dhe rezonanca.

Opozita ka kërkuar sqarim nga përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë mbi zhvillimin e tenderave të barnave për të sëmurët me tumor.

Drejtori ekonomik në ministri, Sajmir Kadiu ka deklaruar se Ministria e Shëndetësisë i ka propozuar qeverisë të ndryshojë ligjin për prokurimet për të lehtësuar  proçedurat e blerjes se barnave nga ana e spitaleve.

Sipas të dhënave të Ministrisë së shëndetësisë rritja e shpejtë e tumoreve në Shqipëri erdhi pas viteve ’90 kur ndryshoi edhe mënyra e jetesës së shqiptarëve.

Mënyra e të ushqyerit, ndotja dhe jeta sedentare janë disa prej faktorëve që rendisin specialistët, por sipas tyre, tumorët në të gjithë botën janë vrastarët më të mëdhenj të njerëzve pas sëmundjeve kardiovaskulare.

Nga ana e saj ministria ka deklaruar se një hap për parandalimin e tumorëve është futja në kalendarin e vaksinimit të vaksinës kundër hepatitit B e cila parandalon kancerin e mëlçisë. Ndërkohë po punohet për futjen në kalendar dhe të vaksinës kundëer kancerit të qafës së mitrës tek moshat 13 vjeç.

Top Channel